Nxënësit që rikthehen në shkollë pas pushimeve, përballen me kufizime të rrepta dhe ndalim të përdorimit të celularit, në një numër në rritje shtetesh dhe qarqesh në SHBA.
Masa vjen mes dëshmive për ndikimin e dëmshëm që lidhja e pandërprerë me internetin ka tek adoleshentët.
Në Los Anxhelos, distrikti i dytë më i madh në vend, bordi i shkollës votoi në qershor për të ndaluar përdorimin e celularëve. Në Qarkun Clark, Nevada, distrikti do t’u kërkojë nxënësve të shkollave të mesme dhe atyre të ciklit të ulët të mbajnë telefonat në qese gjatë ditës, duke filluar nga kjo vjeshtë.
Disa shtete, përfshirë Indianën, Luizianën, Karolinën e Jugut dhe Floridën, kanë miratuar legjislacionin që kufizon qasjen në celular gjatë vitit shkollor. Guvernatorët në të paktën tre shtete të tjera, përfshirë Virxhinian, u kanë bërë thirrje shkollave të kufizojnë ose ndalojnë pajisjet. Shtetet e tjera kanë siguruar fonde për të mbështetur politikat kufizuese.
Nga 20 distriktet më të mëdha shkollore të vendit, të paktën shtatë ndalojnë përdorimin e celularëve gjatë shkollës ose planifikojnë ta bëjnë këtë, ndërsa të paktën shtatë të tjera vendosin kufizime të forta, të tilla si ndalimi i përdorimit gjatë orës së mësimit, por lejimi i telefonave gjatë drekës ose kur studentët janë pushim, sipas një rishikimi të Washington Post.
Presioni mbi drejtuesit e shkollave ka ardhur nga mësuesit dhe prindërit që i shohin celularët si një shpërqendrim, pengesë për të mësuarit dhe një dëmtues i vijueshëm për shëndetin mendor të nxënësve.
“Të gjithë kanë thënë: “Hiquani telefonat”, tha kancelari i shkollave të qytetit të Nju Jorkut, David Banks, distrikti i të cilit planifikon të shpallë së shpejti një ndalim të telefonave celularë.
“Është një problem madhor. Prindërit, mësuesit, administratorët dhe fëmijët. Kështu që ne do të përpiqemi dhe do përgatitemi për të bërë diçka që ka kuptim.”
Sondazhi më i fundit federal, në vitin 2021, zbuloi se 43 përqind e shkollave të mesme dhe 77 përqind e shkollave të ciklit të ulët ndalojnë përdorimin joakademik të celularëve ose telefonave inteligjentë gjatë orëve të shkollës. Ekspertët dhe administratorët thonë se këto shifra janë rritur ndjeshëm.
Ndër shkollat me kufizime, politikat dhe praktikat ndryshojnë. Distrikti Charlotte-Mecklenburg në Karolinën e Veriut i lejon nxënësit të sjellin celularë në shkollë, por kërkon që ata të mbahen pa zile ndërsa janë në shkollëdhe ndalon çdo përdorim jo mësimor, duke përfshirë telefonatat personale dhe mesazhet. Distrikti shkollor i pavarur i Houston kërkon që telefonat të fiken. Distrikti Duval County në Florida urdhëron që nxënësit të fikin dhe të vendosin telefonat e tyre në xhepa ose çanta personale gjatë orës së mësimit.
Dënimet për shkeljen e rregullave zakonisht përfshijnë konfiskim, ndonjëherë duke u kërkuar prindërve që ta marrin pajisjen nga zyra e drejtorit. Herë pas here, sjellja e keqe sjell pasoja më të rënda, të tilla si përjashtimi nga veprimtaritë jashtëshkollore apo edhe pezullimi, për ata që e përsëritin.
Rrethe të tjera ndalojnë përdorimin e telefonave gjatë kohës së mësimit – ose lejojnë mësuesit ta bëjnë këtë në klasat e tyre individuale – por lejojnë përdorimin gjatë drekës ose në korridore.
Politikat më kufizuese kërkojnë që nxënësit të dorëzojnë telefonat për gjithë ditën e shkollës ose t’i ruajnë në kuleta të mbyllura. Kërkesa për kuletat që kushtojnë 30 dollarë është rritur në qiell, më shumë se trefishuar këtë vit kalendarik, tha kompania, megjithëse nuk dha informacion se sa janë në përdorim. Kompania parashikon që do t’u shërbejë më shumë se 2 milionë nxënësve deri në fund të vitit.
Në Los Anxhelos, zyrtarët po eksplorojnë se si të zbatojnë një ndalim të celularit që do të zgjasë gjatë gjithë ditës së shkollës.
“Duke ditur atë që dimë, diçka duhet bërë,” tha në një intervistë Alberto M. Carvalho, mbikëqyrës i Distriktit të Unifikuar të Shkollës në Los Anxhelos.
“Telefonat inteligjentë dhe përmbajtja së cilës nxënësit i qasen pa pushim 24 orë në 7 ditë të javës po i shpërqendrojnë fëmijët nga të mësuarit dhe po gërryejnë shëndetin e tyre mendor.”
Duke ecur në sallat e drekës, tha ai, ai shpesh sheh tavolina me katër ose pesë studentë ku të gjithë shikojnë në telefonat e tyre, në vend që të ndërveprojnë me njëri-tjetrin.
“Është zemërthyese,” tha ai.
Lëkundja prapa e lavjerrësit
Në vitet 2009-2010, përpara se telefonat celularë të bëheshin të kudondodhur, shkollat përgjithësisht ndaluan përdorimin e tyre, duke i parë ato si shpërqendrime. Një anketë federale atë vit zbuloi se 91 përqind e të gjitha shkollave ndalonin përdorimin joakademik të celularëve gjatë orëve të shkollës.
Kjo filloi të ndryshojë pasi kompanitë filluan të zhvillonin aplikacione dhe programe që lejonin përdorimin e celularëve për qëllime arsimore, tha Victor Pereira, një pedagog mbi arsimin në Universitetin e Harvardit. Telefonat mund të përdoreshin papritmas si një pajisje matëse në laboratorë ose për të luajtur lojëra që testojnë të mësuarit. Deri në 2015-2016, vetëm 66 përqind e të gjitha shkollave e ndaluan përdorimin e tyre. Më pas erdhi pandemia e koronavirusit dhe për shumë studentë, telefonat ishin një mjet shpëtimi për të mësuar në një mjedis shkollor virtual.
Por që kur disa nxënës filluan të shfaqnin një varësi nga pajisjet celulare, shkollat filluan t’u ktheheshin ndalimeve të mëparshme. Deri në vitin 2020-2021, përqindja e të gjitha shkollave që ndaluan përdorimin arriti në 77 për qind – edhe pse këto shifra janë shumë më të ulëta në mesin e shkollave të mesme.
“Vendimet për të vendosur celularët para të rinjve të moshave të ndryshme, ka qenë një lavjerrës”, tha Pereira.
Lobimi për shkollat pa telefon është rritur. Një grup avokatësh dhe akademikësh i shkruajtën Sekretarit të Arsimit Miguel Cardona në tetor duke i kërkuar atij që të nxiste shkollat të miratojnë politika pa telefon. Një projektligj dypartiak i Senatit do krijonte një program granti prej 5 milionë dollarësh për të mbuluar kostot e kontejnerëve të sigurt për ruajtjen e telefonave gjatë ditës së shkollës. Vitin e kaluar, Shtëpia e Bardhë udhëzoi Departamentin e Arsimit të krijonte politika model rreth pajisjeve si pjesë e një nisme për shëndetin mendor të të rinjve, megjithëse agjencia ende nuk i ka nxjerrë ato.
Në një këshillë të vitit 2023, Mjeku i Përgjithshëm i SHBA-së Vivek H. Murthy paralajmëroi se mediat sociale, të cilat fëmijët shpesh i përdorin përmes telefonave të tyre, janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për shëndetin mendor. Ai tha se përdorimi i mediave sociale mund të nxisë depresionin, ankthin, pakënaqësinë rreth trupit, sjelljet e çrregullta të të ngrënit dhe vetëvlerësimin e ulët, veçanërisht tek vajzat adoleshente. Murthy sugjeroi prindërit të krijojnë zona “pa teknologji” në të cilat fëmijët nuk mund të kenë qasje në telefonat e tyre.
Një studim i publikuar në vitin 2022 arriti në përfundimin se heqja e telefonave mund të ndihmojë në të mësuarit. Ai u bazua në një eksperiment në të cilin klasa të ndryshme të studentëve të Institutit të Teknologjisë në Nju Jork kaluan gjashtë javë duke mësuar me dhe pa celular. Më pas, studiuesit i anketuan studentët mbi atë që mësuan.
“Ne zbuluam se nxënësit që nuk kishin telefonat kishin nivele më të ulëta ankthi, nivele të larta të të kuptuarit dhe nivele të larta të vetëdijes,” tha Melissa Huey, një asistente Profesore Psikologjie në Neë York Tech dhe një nga dy autorët e studim.
Ajo shtoi se rezultatet që ajo vëzhgoi në mesin e studentëve të kolegjit ndoshta do ishin më të theksuara për studentët K-12.
Shtytje nga mësuesit
Disa nga shtytjet e kohëve të fundit për politika kufizuese kanë ardhur nga mësuesit, të cilët e shohin vetë se sa shpërqendrues mund të jenë telefonat dhe që janë të rraskapitur nga mbikëqyrja e nxënësve.
Shtatëdhjetë e dy për qind e mësuesve të shkollave të mesme raportuan se shpërqendrimi i nxënësve nga telefonat celularë ishte një “problem madhor” në klasat e tyre, sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew të vjeshtës 2023. Shoqata Kombëtare e Arsimit, sindikata më e madhe e mësuesve në vend, raporton zhgënjimin e përhapur të edukatorëve me përdorimin e celularëve dhe nxit anëtarët e saj që të negociojnë politikat lokale “që kufizojnë qasjen në pajisjet personale gjatë ditës së shkollës”.
Kjo qasje funksionoi në Cleveland, ku sindikata e mësuesve shtyu me sukses një ndalim të celularit për nxënësit gjatë negocimin e kontratës së miratuar së fundmi.
Gjuha e miratuar rishtazi kërkon që administratorët në çdo shkollë të mbledhin celularët e nxënësve përpara se ata të shkojnë në klasat e tyre. Ai hyn në fuqi këtë vit shkollor.
Politika e mëparshme kërkonte që studentët të mbanin telefonat e tyre të fikur, por kjo nënkuptonte mbikëqyrje të vijueshme nga mësuesit, tha Shari Obrenski, president i Unionit të Mësuesve të Cleveland.
Mësuesit ishin gjithashtu të shqetësuar për zënkat. Obrenski tha se nxënësit e shkollave të mesme përdornin celularë për të planifikuar zënkat, për t’i regjistruar ato dhe për t’i postuar videot në mediat sociale.
“Ata po përdornin telefonat për të krijuar kaos dhe për të përjetësuar dhunën në shkollat tona,” tha ajo.
Shpesh ka reagime nga nxënësit dhe ndonjëherë nga prindërit kur miratohen kufizimet e telefonit celular, thonë administratorët.
Disa prindër shqetësohen për pamundësinë e kontaktimit të fëmijëve të tyre në rast të ndonjë emergjence, si p.sh. nëse ndodhin të shtëna në shkollë. Avokatët përgjigjen se nxënësit mund të përdorin telefonat në zyrën e shkollës nëse ka nevojë për të komunikuar me një prind ose kujdestar dhe se të shtënat në shkollë janë të rralla.
Në Change.org, më shumë se 170 peticione në lidhje me ndalimin e telefonave celularë, shumica e të cilëve bëjnë thirrje për më pak kufizime, janë krijuar gjatë gjashtë muajve të fundit, së bashku duke mbledhur më shumë se 120,000 nënshkrime, tha një zëdhënëse e platformës.
Një peticion që synon një ligj të ri në Luiziana që ndalon përdorimin e celularëve, i krijuar nga studentët, ka mbledhur më shumë se 43,000 nënshkrime.
“Si nxënës të shkollave të mesme, ne aktualisht po trajtohemi pak më mirë se fëmijët e kopshteve”, thuhet në peticion.
Dy qasje në Florida
Vitin e kaluar, Florida u bë shteti i parë që miratoi një ligj që kërkon që të gjitha shkollat publike të ndalojnë përdorimin e celularëve të nxënësve gjatë orës së mësimit dhe të bllokojnë qasjen në mediat sociale në rrjetet ËiFi të distriktit. Rrethet mund të vendosin nëse studentët mund të përdorin telefonat gjatë drekës dhe ndërmjet orëve mësimore.
Në korrik, Hillsborough County në Florida miratoi një politikë që kërkon që telefonat të vendosen në heshtje dhe politika do përoret në shkollat e mesme dhe fillore. Në shkollat e mesme, telefonat mund të përdoren vetëm gjatë drekës, me përjashtim të mësuesve që duan të përdorin telefonat për mësim.
Mësuesi i anglishtes në shkollën e mesme Steinbrenner, Calvin Dillon, tha në një intervistë se ndalimet e përgjithshme nuk do funksionojnë.
“Të mendosh se mund të heqësh qafe telefonat, nuk është realiste. Është naive”, tha Dillon.
“Por nëse krijoni një situatë ose një përvojë që është më interesante se ajo që ata mund të gjenin në telefon për 20 sekonda, atëherë ju jeni duke bërë punën tuaj.”
Nate Casibang, një mësues veteran në shkollën e mesme Sickles në kontenë Hillsborough, tha se ai e kupton pse ligjvënësit ishin të etur për të ndaluar telefonat nga shkollat. Por atij i pëlqen ta përdorë pajisjen për qëllime edukative, si në një nga klasat e tij të parapëlqyera vitin e kaluar, frëngjisht, ku mësuesi mbështetej në platformën arsimore Canvas për të postuar detyra dhe notat. Shumicën e ditëve, nxënësitpritej të përdornin telefonat e tyre për të hyrë në Canvas, tha ai.
Nate, 17 vjeç, e di se telefonat mund të jenë të dëmshëm – atij nuk i pëlqen se si ndihet pasi sheh në TikTok për dy orë. Por ai nuk do që njerëzit të harrojnë se e mira vjen edhe nga telefonat.
“Është e lehtë të përshkruash një narrativë të keqe,” tha ai.
“Por gjithashtu, më shumë njerëz nga sa mund ta imagjinoni ndonjëherë, po e përdorin atë për të qenë më të zgjuar dhe më të përgatitur se brezat e mëparshëm.”
Diku tjetër në Florida, shkollat publike të Orange County miratuan një ndalim të plotë, duke u kërkuar nxënësve të të gjitha klasave të linin celularët e tyre pa zile dhe në çanta shpine gjatë gjithë ditës.
Marc Wasko, drejtori i shkollës së mesme Timber Creek me 3,500 nxënës në Orange County, tha se ishte i befasuar nga sa shpejt u përshtatën nxënësit. Fillimisht, tha ai, administratorët konfiskonin rreth 100 telefona në ditë. Kjo ra shpejt në rreth 10 deri në 30.
Shkolla shtoi programimin e drekës për të ndihmuar nxënësit me tranzicionin. Nxënësit lexojnë dhe përdorin më shumë bibliotekën.
Wasko kujtoi çastet e gëzueshme që mund të mos kishin ndodhur kurrë nëse nxënësit do ishin ngjitur në ekranet e telefonit të tyre.
“Fëmijët sollën Polaroid dhe kamera dixhitale në shkollë për të xhiruar javën e nisjes së pushimeve vitin e kaluar shkollor. Duket se po flasin më shumë”, tha ai. Tani studentët e përshëndesin në korridor.
“Ishte bukur,” tha Wasko, “të shihja fëmijët që ishin sërish fëmijë.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washingtgon Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani