Gjashtë ushtarakë kanë mbetur të plagosur teksa ishin duke shkuar për të shuar zjarret në zonën e Mirditës.
Mjeti me të cilin udhëtonin është përplasur me një autobot në rrugën Lezhë-Shkodër, në Kryqëzimin e Dajçit.
Të lënduarit janë dërguar në spital ku janë jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi
“Rreth orës 05:30, në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Dajçit”, automjeti i Repartit Ushtarak Vau i Dejës, me drejtues shtetasin B. N., është përplasur me automjetin autobot, me drejtues shtetasin N. P. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar shtetasit Gj. H., 33 vjeç, R. D., 57 vjeçe, E. Q., 23 vjeç, J. B., 28 vjeç, D. L., 29 vjeç dhe D. K., 27 vjeç, banues në Shkodër (ushtarakë), pasagjerë në automjetin që drejtonte shtetas B. N., të cilët janë dërguar në spital, për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën. Automjeti i Repartit Ushtarak ishte nisur në drejtim të Mirditës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”