Një organizatë e vetëquajtur “e errët”, që u ofron bizneseve qasje tek politikanët dhe rregullatorët e BE-së ka grumbulluar pothuajse 6 milionë euro tarifa nga industria e financave, ka zbuluar POLITICO, duke nxitur shqetësimet për mungesën e transparencës dhe fitimit të influencës përmes parave.
Shkalla e madhe e të ardhurave të “Eurofi” tani e bën atë një nga grupet më të mëdha që lobojnë në BE, pavarësisht se ka vetëm tre punonjës me kohë të plotë dhe nuk ka llogari të disponueshme publikisht.
Operacioni kryesor përfshin organizimin e një lobimi ekstravagant dy herë në vit pas dyerve të mbyllura në prag të takimeve të ministrave të Financave të BE-së ku marrin pjesë zyrtarë të lartë evropianë, bankierë me peshë dhe zyrtarë të brendshëm të financave.
Anëtarë të rëndësishëm të Parlamentit Evropian që kanë role me ndikim në legjislacionin financiar zbuluan se “Eurofi” kishte paguar për qëndrimet e tyre në hotelet luksoze dhe disa nga udhëtimet e tyre.
Organizata arriti një buxhet prej 5.7 milionë eurosh në vitin 2023 përmes tarifave nga anëtarët e saj, të cilët përfshijnë bankat më të mëdha, bursat dhe gjigantët e teknologjisë, përfshirë BlackRock, Goldman Sachs dhe American Express, sipas zbulimeve të transparencës në muajin korrik, informacioni i parë i disponueshëm publikisht mbi financat e saj prej vitesh.
Ndërkohë që nuk bëhet fjalë për ndonjë krim, situata ngre shqetësime për natyrën e lobimit në BE: kush po paguan dhe sa – dhe çfarë lloj ndikimi po blejnë paratë e tyre? Ndikimi i sektorit financiar në Bruksel ka qenë i dukshëm vitet e fundit, me futjen e rregullave më të lehta për bankat dhe kompanitë e sigurimit sesa kërkonin rregullatorët dhe sukses të dukshëm në zbutjen e reformave që mund të dëmtojnë interesat e sektorit.
“Është një nga grupet më të errët që mund të mendoj,” tha Kenneth Haar, studiues në Observatorin e Evropës Korporative, një organizatë jofitimprurëse.
“Është vërtet e çuditshme të kesh një buxhet kaq të madh me vetëm pak njerëz.”
Qasje te vendimmarrësit
Organizimi i “Eurofi” është ndryshe nga lobet e tjera të mëdha në Bruksel, të cilët i shpërndajnë zyrat e tyre në përpjekje për të ndikuar politikën dhe për të fituar qasje në veshin e eurokratëve më të rëndësishëm. “Eurofi” këmbëngul se nuk përfaqëson interesat e industrisë financiare dhe thjesht ofron një platformë për diskutim.
Por pesha e saj financiare tani e rendit atë në mesin e organizatave më të mëdha lobuese në Bruksel, menjëherë pas gjigantëve të teknologjisë si Google dhe Apple, të cilët kanë investuar burime të mëdha për të ndikuar në makinerinë e Brukselit. Ajo ka një anëtarësim prej më shumë se 100 lojtarësh financiarë dhe buxheti i saj është rritur me pothuajse 50 për qind që nga shifra e fundit e disponueshme prej 3.9 milionë eurosh për vitin 2020, duke e bërë “Insurance Europe” grupin e vetëm lobues më të madh për industrinë financiare.
Kjo do të thotë se ka më shumë burime sesa lobet kryesore bankare, lobi i fuqishëm i industrisë farmaceutike (Federata Evropiane e Industrive dhe Shoqatave Farmaceutike) dhe grupi i biznesit BusinessEurope.
“Ka qasje shumë të lehtë te nëpunësit civilë dhe vendimmarrësit dhe kur ata të rrisin buxhetin e tyre, ata thjesht do të kenë edhe më shumë qasje,” tha Haar.
Axhenda për ndryshimin e saj në Budapest në shtator, e parë nga POLITICO, tregon se kush është në krye të rregullimit financiar dhe përfshin guvernatorin e Bankës Qendrore Franceze François Villeroy de Galhau, Presidenten e Bankës Evropiane të Investimeve Nadia Calvino dhe Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian Valdis Dombrovskis. Pritet që të marrin pjesë qindra përfaqësues të industrisë.
Një numër lobistësh financash i kanë thënë POLITICO-s se kanë shqetësime rreth “Eurofi”-t për shkak të kostove të tij mbresëlënëse dhe organizimit privat, por mendojnë se do humbisnin nëse nuk do të merrnin pjesë në konferencat e tij.
“Nuk lobojmë”
POLITICO bëri përpjekje të përsëritura për të kontaktuar “Eurofi”-n në mënyrë që ajo të mund t’u përgjigjej pyetjeve të ngritura në shkrim, duke përfshirë mungesën e transparencës.
Disa emaile në një adresë në faqen e internetit të grupit mbetën pa përgjigje. Jean-Marie Andres, bashkëpunëtor i lartë i “Eurofi”, i cili iu përgjigj një telefonate në një numër të shënuar në regjistrin e transparencës, fillimisht iu përgjigj pyetjeve, por më pas dërgoi një email për të thënë se nuk ishte i autorizuar të fliste me gazetarët.
Thelbi i asaj që ai tha ishte se Eurofi nuk duhet parë si lobist por si organizator i diskutimeve. Buxheti i tij më i madh pasqyron inflacionin dhe nevojën për të punësuar vende më të mëdha.
Në zbulimin e tij publik, Eurofi këmbëngul se “nuk përfaqëson interesa tregtare” dhe vepron “në një perspektivë të interesit të përgjithshëm për përmirësimin e tregut të përgjithshëm financiar”.
Aktivistët e transparencës thonë se kjo është në kundërshtim me faktin se financohet nga firma të mëdha financiare si Amazon Ëeb Services dhe J.P. Morgan, të cilat paguajnë Eurofi-n për privilegjin e të qenit në gjendje të zënë ngushtë rregullatorët në konferencat e saj.
Eurofi ngarkon anëtarët e industrisë me tarifa prej 50,000 eurosh, thonë persona të brendshëm financiarë. Një tavolinë në darkën gala, një dhomë për takime ose një vend për një përfaqësues të kompanive në panel, të gjitha kërkojnë tarifa shtesë.
Joshje zyrtare
“Eurofi” jep besueshmëri nga historiku i saj. Ajo u themelua nga ish-Guvernatori i Bankës Qendrore franceze Zhak de Larosier dhe nëpërmjet lidhjeve të saj me presidencën e Këshillit të BE-së, që rrotullohet mess vendeve çdo gjashtë muaj.
Ai drejtohet nga David Wright, një ish-zyrtar britanik i BE-së dhe drejtohet çdo ditë nga francezi Didier Cahen.
Konferencat zhvillohen në ditët përpara një takimi të ministrave të Financave në vendin përkatës, që do të thotë se zyrtarët e lartë janë tashmë në qytet.
Lobistët, rregullatorët, zyrtarët dhe diplomatët të gjithë thonë se konferenca aktuale është një shfaqje e mërzitshme, e mbushur me panele vetëm për meshkuj dhe debate të kontrolluara, krahasuar me lobimin rreth saj që zhvillohet në takime rastësore në kafene.
Konferenca zhvillohet tërësisht pas dyerve të mbyllura. Gazetarët janë të ndaluar të marrin pjesë dhe POLITICO u dëbua nga zona e hollit të hotelit që priti konferencën e vjeshtës së kaluar në Santiago de Compostela, Spanjë.
Pavarësisht kritikave për kostot dhe mungesës së transparencës, zyrtarët e BE-së vazhdojnë të marrin pjesë në të.
“Eurofi” ka mbuluar kostot e pjesëmarrjes së politikanëve që kanë udhëhequr rishkrimet e rregullave financiare, sipas dosjeve publike.
Ligjvënësi gjerman Markus Ferber, eurodeputetja franceze Stéphanie Yon-Courtin, ligjvënësi holandez Paul Tang dhe eurodeputeti spanjoll Jonás Fernández të gjithë kanë zbuluar se “Eurofi” ka paguar për qëndrimin në otele përrallore dhe disa nga udhëtimet e tyre për të marrë pjesë në takime midis vitit 2021 dhe 2023.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani