Deputetja demokrate Oriola Pampuri, e ftuar në rubrikën Opionin në News 24 tha se PD sot është copëtuar në mënyrë mizore.
Pampuri theksoi se shqiptarët nuk mund të votojnë më figura të ricikluara. Ajo shtoi se Lulzim Basha nuk është braktisur nga ndërkombëtarët.
“Shqiptarët nuk duhet të votojnë për të njëjtat figura. Ka ardhur koha që shqiptarët të kuptojnë rëndësinë e votës. Unë nuk kam marrë vendim të jem në grupin e z Basha, por në një grup, që mbështet aleatët tanë strategjikë. Unë nuk mund ta mendoj që të mbështesë individë, që nuk mbështesin SHBA, Britaninë e Madhe. Unë kam dhe karrierë akademike e nuk mund të mbahem mend si person që luajti rol destruktiv. Unë jam dakord që votat e shqiptarëve kanë rëndësi, por jemi vend i vogël, që nuk ia dalim dot pa aleatët tanë të mëdhenj. Basha nuk është braktisur nga ndërkombëtarët, ai ka takuar ambasadorët. Unë iu qëndroj parimeve të mia nga fillimi në fund.
Nuk mund të anatemohet SPAK e SHBA, siç bën pala tjetër. PD është copëtuar në mënyrën më mizore të mundshme, e copëtuar në aq pjesë, sa ç’e do Edi Rama. Kjo punë nuk është çështje numrash. Do isha naive të thosha që do fitojmë. Ne nuk duam të mbijetojmë, por ne duam të fitojmë ndaj Ramës. Për të mbijetuar e duan ata që duan të zgjidhin çështjet personale. Ne vazhdojmë që të luftojmë në gjykatë për të marrë vulën dhe kemi nisur punën në terren për zgjedhjet. Ne duam të kandidojmë figura të pastra, që nuk janë korruptuar”, tha Pampuri.