Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka bërë një reagim kundër policisë pas atentatit në Tiranë.
Sipas tij ngjarjet e fundit kriminale tregojnë që situata e sigurisë dhe rendit publik është në degradim.
Sipas tij policia as nuk parandalon e as nuk kap autorë por është shndërruar në një agjenci lajmesh që jep vetëm informacion.
“Krimi godet objektivin në mes të kryeqytetit, në mes të qyteteve, në çdo zonë, kudo të duan sipas kërkesave të porositësve.
Krimi e bandat nuk njohin frikë e as shqetësim se do përballen me autoritetin e shtetit!
Ngjarjet e pafundme janë tabela e degradimit të vazhdueshëm dhe rënies pikiadë të situatës së sigurisë dhe rendit publik.
Fati, mbetet të jetë rojtari i qytetarëve!
Policia as parandalon, as kap; policia vetëm informon, sikur të ishte agjensi lajmesh. Madje në rastet e përfshirjes së zyrtarëve rilindas në krime ka rolin e mbuluesit të ngjarjes dhe manipulimit!
Vetëm këputja e lidhjeve të drejtuesve të policisë me krimin, promovimi i profesionistëve, dhe depolitizimi i policisë do ta bëjë efiçente policinë e shtetit që ka brënda radhëve të saj profesionistë që meritojnë të jënë në krye të luftën ndaj krimit dhe jo të dhunohen nga krerët e kapur prej krimit.
Çlirimi i policisë nga prangat e krimit dhe lufta pakompromis ndaj çdo forme të kriminalitetit është emergjencë për të kthyer rendin dhe sigurinë!”-shkruan Salianji.