Vendosni fjalën kyçe....

Shoqërohet nga policia Safet Bajri, lirohet pas marrjes në pyetje


Safet Bajri, një nga emrat e njohur të botës së krimit, u shoqërua nga policia në Lezhë dhe u transferua më pas në drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Pas marrjes në pyetje, ai është liruar.

Bajri, i njohur si anëtar i bandës së Shkodrës, u lirua me kusht nga burgu i Fierit në mars të vitit 2023, ku vuante dënimin prej 9 vitesh të caktuar nga gjykata belge për trafik droge dhe prostitucion.

Ai u arrestua në vitin 2018 dhe akuzohet për një sërë veprash penale si vrasje e mbetur në tentativë, trafik droge, shantazh dhe gjobvënie.

Në kohën kur u arrestua Bajri zyrtarisht u tha se: Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë. Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë:

“Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i lotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.