Turqia ka kërkuar zyrtarisht të bashkohet me grupin BRICS të vendeve të tregjeve në zhvillim, ndërsa kërkon të forcojë ndikimin global dhe të krijojë lidhje të reja përtej aleatëve të saj tradicionalë perëndimorë.
Pikëpamja e administratës së Presidentit Erdogan është se qendra gjeopolitike e gravitetit po largohet nga ekonomitë e zhvilluara, sipas burimeve, të cilët folën në kushte anonimiteti.
Shtytja e re diplomatike e vendit pasqyron aspiratat e tij për të kultivuar lidhje me të gjitha palët në një botë shumëpolare, duke përmbushur ndërkohë detyrimet si një anëtar kyç i NATO-s, thanë ata.
Duke qenë në udhëkryq mes Evropës dhe Azisë, Turqia paraqiti një kërkesë për t’u bashkuar me BRICS disa muaj më parë mes zhgënjimit për mungesën e ecjes përpara në përpjekjen e saj prej dekadash për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, shtuan burimet.
Kërkesa është gjithashtu pjesërisht rezultat i përçarjeve me anëtarët e tjerë të NATO-s pasi Turqia mbajti lidhje të ngushta me Rusinë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, shtuan ata. Ministria e Jashtme dhe presidenca e Turqisë nuk pranuan të komentojnë.
“Turqia mund të bëhet një vend i fortë, i begatë, prestigjioz dhe efektiv nëse përmirëson marrëdhëniet e saj me Lindjen dhe Perëndimin njëkohësisht”, tha Erdogan në Stamboll gjatë fundjavës.
“Çdo metodë tjetër përveç kësaj, jo vetëm që uk do i sjellë asnjë përfitim Turqisë, por do e dëmtojë atë.”
Grupi BRICS, që është akronimi i gërmave të para të Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës dhe Afrikës së Jugut, përfshin disa nga ekonomitë më të mëdha në zhvillim. Ajo thithi katër anëtarë të rinj në fillim të këtij viti, kur Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia dhe Egjipti iu bashkuan radhëve të saj. Arabia Saudite u ftua të bashkohej, megjithëse mbretëria ende nuk e ka bërë këtë.
Zgjerimi i mëtejshëm i grupit mund të diskutohet gjatë një samiti në Kazan, Rusi, në 22-24 tetor, thanë burimet e cituara nga Bloomerg. Malajzia, Tajlanda dhe aleati i ngushtë i Turqisë, Azerbajxhani janë ndër vendet e tjera që kërkojnë t’i bashkohen.
BRICS e reklamon veten si një alternativë ndaj asaj që anëtarët e saj i shohin si institucione të dominuara nga perëndimi si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Anëtarët e rinj potencialisht mund të kenë qasje në financim nëpërmjet bankës së saj të zhvillimit, si dhe të zgjerojnë marrëdhëniet e tyre politike dhe tregtare.
Partia qeverisëse e Erdoganit për Drejtësi dhe Zhvillim ka akuzuar prej kohësh vendet perëndimore për pengimin e aspiratave turke për një industri të vetëmjaftueshme të mbrojtjes dhe ekonomi të fortë. Presidenti ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për një rishikim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të zgjeruar pesë anëtarët e tij të përhershëm dhe ka shprehur interes për t’u bashkuar me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, të krijuar nga Rusia dhe Kina si një rival i NATO-s.
“Ne nuk duhet të zgjedhim midis Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, siç pretendojnë disa njerëz”, tha Erdogan.
“Përkundrazi, ne duhet t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona me këto dhe organizata të tjera në bazë të favorshme.”
Zgjerimi i BRICS është nxitur kryesisht nga Kina, që po përpiqet të rrisë ndikimin e saj global duke u ballafaquar me kombet tradicionalisht aleate me SHBA-në.
Turqia ka qenë në bisedime për t’u bashkuar me BE-në që nga viti 2005, por ka hasur në një sërë pengesash, duke përfshirë ato që blloku i përshkruan si mangësi demokratike të vendit.
Turqia beson se bashkimi me BRICS mund ta ndihmojë vendin të përmirësojë bashkëpunimin ekonomik me Rusinë dhe Kinën dhe të bëhet një kanal tregtar midis BE-së dhe Azisë. Ajo dëshiron të jetë një qendër për eksportet e gazit nga Rusia dhe Azia Qendrore, thanë burimet.
Administrata e Erdoganit është përpjekur të thithë investime nga prodhuesit kinezë të makinave elektrike, të cilët potencialisht mund të përfitojnë nga bashkimi doganor i Turqisë me BE-në për të rritur qasjen e tyre në treg.
“BRICS është një organizatë që rrit larmishmërinë e qasjeve, identiteteve dhe politikave në sistemin ekonomik global,” tha ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan pas pjesëmarrjes në një takim të ministrave të Jashtëm të BRICS në qershor.
Megjithatë, Turqia po bën përpjekje paralele për të rinovuar bisedimet e anëtarësimit me BE-në. Ky mbetet “një objektiv strategjik”, tha Fidan javën e kaluar pasi mori pjesë në bisedimet jozyrtare me homologët e BE-së për herë të parë në pesë vjet.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani