Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Marrëveshja me Kurum si ajo e rafinerisë së Ballshit, SPAK të nis hetimet


Kryetari i grupit të Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka kritikuar ashpër marrëveshjen e kompanisë Kurum me kryebashkiakun e Elbasanit, Gledian Llatja, duke e cilësuar atë si një skemë mashtruese para zgjedhjeve.

Basha deklaroi se kjo është një ripërsëritje e praktikave hileqare të uzinës së Ballshit, ku para zgjedhjeve premtohen punë, ndërsa pas zgjedhjeve punëtorët mbeten në rrugë.

Ai theksoi se SPAK duhet të nisë hetimet për këtë marrëveshje, duke akuzuar qeverinë për përdorimin e punëtorëve si mjet për të fituar vota dhe për mbulimin e skandalit të mbetjeve toksike në Elbasan.

Sipas tij, qytetarët po përdoren për përfitime elektorale, dhe ka kërkuar që drejtësia të ndërhyjë për të zbardhur këtë aferë që cenon shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Për sa kohë do të jenë të punësuar punonjësit e Kurum?  Çfarë do të ndodhë me ta pas zgjedhjeve?  Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje dhe garanci sot. Ajo që u servir për mediat ishte e njëjtë me skemën mashtruese të pak viteve më parë, me punonjësit e rafinerisë së Ballshit. Edhe atyre u premtuan në prag të zgjedhjeve punë, paga, mbështetje, por pas zgjedhjeve i hodhën në rrugë. Edhe pseudo negociatat e sotme mes Kurum dhe përfaqësuesve të Edi Ramës janë ripërsëritje e skemës hileqare të uzinës së Ballshit. 

Një lojë elektorale me shëndetin dhe mirëqenien e të punësuarëve në atë sipërmarrje, qëllim i vetëm i të cilës është vota e tyre. Nga ana tjetër po bëhet gjithçka për të mbuluar skandalin e mbetjeve toksike, ku deklaratat e qeveritarëve treguan se është vepruar si një organizatë kriminale, për të cilën SPAK duhet të hetojë. 

Duhet të marrë fund koha kur qytetarët shihen si vota e më pas lihen në mëshirë të fatit. Duhet të marrë fund koha, kur qeveria luan me bukën e gojës së shqiptarëve, vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin.

Që të punësuarit pranë kompanisë të mostrajtohen si plaçkë lufte mes atyre që po përpiqen të fshehin përgjegjësitë për çfarë kanë bërë përgjatë këtyre viteve, skandalin e mbetjeve toksike dhe lojën e turpshme elektorale në kurriz të qytetarëve që luftojnë për mbijetesë, institucionet e drejtësisë duhet të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të zbardhin me shpejtësi dhe rigorozitet këtë aferë  çnjerëzore, që dëmton shëndetin, sigurinë dhe imazhin e Elbasanit dhe Shqipërisë duke nxjerrë përpara drejtësisë çdo zyrtar të lartë të përfshirë në këtë histori rrënqethëse”, tha ai.