Vendosni fjalën kyçe....

Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD: Kemi hyrë tani në një vit elektoral


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së kryesisë së PD-së, dha një mesazh të fortë për anëtarët e partisë, duke theksuar rëndësinë e rikthimit të votës së lirë në këtë vit elektoral. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për deformimin e procesit zgjedhor, duke përdorur metoda që dëmtojnë demokracinë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha nënvizoi se Partia Demokratike, pas një periudhe të vështirë, është sot e bashkuar dhe e fuqishme, pavarësisht përpjekjeve për ta dobësuar atë. Ai theksoi se kryesia e PD-së ka përgjegjësinë e madhe për të rikthyer të drejtën e votës për qytetarët shqiptarë dhe për të ndëshkuar krimin elektoral.

Në përfundim, Berisha e quajti vitin 2024 vendimtar për rikthimin e votës së lirë dhe kërkoi nga institucionet demokratike të qëndrojnë të bashkuara përballë sfidave që kanë përpara.

“Sot, kryesia e PD mblidhet në një moment vendimtar në historinë e saj, mblidhet në një moment kur kjo kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.

PD në vitet e fundit, përjetoi një proces të rrallë, të vështirë, por ajo sot është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar, pavarësisht se parashikimit, ose përpjekjet e hapta ishin që kjo forcë politike të denatyrohej, të shndërrohej në një simotër të Partisë së krimit, të fshihej e tërë historia e saj, të fshihej, të spostohej aksi i programit të saj.

Ju keni bërë një betejë të fortë, por edhe të suksesshme, jeni përballur me probleme të mëdha, të vështira, dhe ato janë kapërcyer.

Kemi hyrë tani në një vit elektoral. Ky problem madhor që duhet të zgjidhim është një problem që u trashëgua nga zgjedhjet në zgjedhje.

Shqiptarët janë dëshmitarë, se Edi Rama, nga 2017 deri në 4 gusht 2024 shkoi duke deformua në shkallë maksimale, duke shndërruar procesin zgjedhor në një farse të vërtetë zgjedhor.

Përveç kësaj, ne kemi patur edhe një problem të dytë madhor, se ky proces shkatërrimtar i procesit zgjedhor është shoqëruar me një propagandë të stërfuqishme, e cila ka fajësuar viktimën dhe jo fajtorin e vërtetë.

E cila ka shpallur krimin elektoral sukses dhe ka shpallur fitore, fitoren e grabitur”, tha nder te tjera Sali Berisha.