Vendosni fjalën kyçe....

“Ka përfituar fonde publike” – PD kërkon heqjen e mandatit të deputetit të PS-së Vullnet Sinaj


PD kërkon heqjen e mandatit të deputetit të PS-së Vullnet Sinaj, të cilin e akuzon se ka përfituar fonde publike me bizneset e tij. Këshilli i Mandatave pritet të mblidhet sot për të shyrtuar këtë kërkesë.

Pas shqyrtimit të sotëm në Këshill, kërkesa u kalon deputetëve për votim.

Në mocionin e deputetëve të opozitës thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike.

Më herët Sinaj i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se ka përfituar fonde publike, duke theksuar se ka hequr dorë nga administrimi i të gjitha kompanive që prej vitit 2017 kur vendosi të hynte në politikë.

“Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit”, shkruante Sinaj në reagimin publik më 7 gusht.

Vullnet Sinaj është deputet i Vlorës. Në Kongresin e PS-së, kryeministri Rama e përmendi me emër duke e vlerësuar si një nga deputetët më të mirë që “kurrë nuk i ka rënë telefonit tim për halle personale, vetëm për çështje pune në shërbim të qytetarëve”. Komenti i gjatë i Ramës e preku Sinajn që u përlot.