Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shpallur pesë vendime këtë të mërkurë për prokurorë dhe gjyqtarë lidhur me procesin e vettingut. Prokurorja e Tiranës, Ornela Rrumbullaku, u shkarkua nga detyra për shkak të problemeve në deklarimin e pasurisë, ndonëse kaloi pozitivisht vlerësimin për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Një tjetër shkarkim u dha për prokurorin e Korçës, Dashnor Nure, i cili u largua për pamundësi financiare në disa vite. Ndërkohë, prokurorja e Durrësit, Oltiana Gjoni Çifliku, u konfirmua në detyrë pasi kaloi me sukses të tri kriteret e vettingut.
Gjithashtu, gjyqtari i Shkodrës, Tonin Stërkaj, u shkarkua nga detyra për probleme të pasurisë dhe profesionalizmit. Prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar për korrupsion dhe krim të organizuar gjatë operacionit “Metamorfoza”, u shkarkua pas hetimeve nga SPAK që e përfshinin atë në aktivitete të krimit të organizuar.