Një tabelë e madhe që shfaqet mbi një autostradë kryesore në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, përshkruan Benjamin Netanyahun si një derr pranë një simboli svastika në ngjyrë të kuqe dhe fjalët: “Vrasësi i foshnjave Izrael”.
Disa qindra kilometra larg në Stamboll, një tabelë në vitrinën e një dyqani paralajmëron Izraelin si dhe SHBA-në dhe Evropën, se ata do “mbyten në gjakun që ju derdhni”, ndërsa protestuesit jashtë tregut historik egjiptian të erëzave ngrenë pankarta duke bërë thirrje për “humbjen” e NATO-s, anëtare e së cilës është edhe Turqia.
Shpërthimet e retorikës anti-izraelite dhe anti-perëndimore nuk janë të pazakonta në Turqi, por një ndjenjë e tillë është në rritje, ndërsa lufta në Gaza është ndezur, e nxitur nga toni gjithnjë e më luftarak i kreut të vendit, Erdogan.
Presidenti turk në muajt e fundit ka ashpërsuar dënimin e tij ndaj Izraelit dhe bombardimeve në Gaza, në kontrast me tonin e tij të kalibruar me kujdes në ditët që pasuan sulmin e Hamasit më 7 tetor. Ndryshimi ka përkuar me një rënie të popullaritetit të tij në mes të një krize ekonomike të gjatë.
Erdogan e ka etiketuar Izraelin një “shtet terrorist” që kërcënon “të gjithë njerëzimin”, e ka quajtur Netanyahun një “vrasës gjenocidal” dhe “Hitler të epokës sonë” dhe ka thënë se trupat e tij mund të hyjnë në Izrael për të mbrojtur palestinezët.
Ai u kthye gjithashtu kundër mbështetësve perëndimorë të Izraelit, duke sulmuar ligjvënësit amerikanë që hapën krahët ndaj Netanyahut ndërsa ai mbajti një fjalim në Kongres në korrik.
“Ashtu si emrat e atyre që duartrokitën fjalimin e Hitlerit për gjenocidin në Rajhstagun nazist 85 vjet më parë, hyjnë në histori me turp, ata që i dhanë duartrokitje gënjeshtrave të Hitler Netanyahut nuk do mund të pastrojnë njollën e zezë të ngulur në duart e tyre.” – tha Erdogan.
Në shenjë të tensioneve në rritje, më shumë se një duzinë anëtarë të Unionit të Rinisë Nacionaliste të Turqisë u arrestuan nga autoritetet turke këtë javë pasi ata sulmuan dy marinsat amerikanë që po largoheshin në Izmir, një nga qytetet më të prirur drejt Perëndimit në Turqi.
Erdogan ka qenë i kujdesshëm për të shmangur kalimin e kufirit në mmarëdhëniet me SHBA-në dhe diplomatët thonë se marrëdhëniet midis aleatëve të NATO-s mbeten konstruktive, veçanërisht pasi Uashingtoni ra dakord në fillim të këtij viti për t’i shitur Turqisë avionë F-16 me vlerë miliarda dollarë.
Presidenti turk, megjithatë, e ka ndjekur retorikën e tij të mprehtë kundër Izraelit me veprime.
Ankaraja ka nisur një embargo tregtare kundër Izraelit, ka kërkuar t’i bashkohet çështjes penale të ngritur nga Afrika e Jugut në Hagë që akuzon Izraelin për gjenocid dhe ka ftuar presidentin palestinez Mahmud Abbas që t’i drejtohet parlamentit.
Ankaraja, e cila ka strehuar prej kohësh operativë politikë të Hamasit, gjithashtu ka përqafuar ngrohtësisht organizatën militante, me Erdoganin që priti kreun e saj të ndjerë Ismail Haniyeh në prill dhe e krahasoi grupin me “çlirimtarët” në betejën e Turqisë për pavarësi një shekull më parë.
Gazetat dhe stacionet televizive turke, pjesa më e madhe e të cilave janë në linjë me qeverinë, e kanë përforcuar retorikën e Erdoganit me kritika therëse ndaj Izraelit dhe mbështetësve të tij. “Togerët” kryesorë të presidentit i janë bashkuar gjithashtu akuzave, duke nënvizuar se si ndjenja e Erdoganit po filtrohet përmes burokracisë së Turqisë.
Salih Biçakci, një studiues në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, tha se ky sulm i fundit ishte pjesë e marrëdhënies “slitë rëshqitëse ” midis Izraelit dhe Turqisë që daton që nga themelimi i së parës.
Turqia ishte vendi i parë mysliman që njohu Izraelin pas krijimit të vendit në vitin 1948, por të dy shpesh janë grindur. Ankaraja iu bashkua thirrjeve arabe që Izraeli të hiqte dorë nga territori që mori në luftën gjashtëditore të vitit 1967 dhe më vonë zbehu marrëdhëniet diplomatike pasi Izraeli aneksoi Jerusalemin Lindor dhe e shpalli qytetin “kryeqytetin e përjetshëm dhe të pandarë”. Turqia ishte gjithashtu ndër vendet e para që njohu Palestinën si shtet të pavarur.
Megjithatë, Erdogan, ngritja e të cilit në pushtet në fillim të mijëvjeçarit ishte e rrënjosur në politikat islamike, gjithashtu ka kërkuar të ekuilibroë mbështetjen e gjerë brenda Turqisë për kauzën palestineze kundrejt mundësive ekonomike, tregtare dhe turistike nga forcimi i lidhjeve me Izraelin.
Tregtia dypalëshe midis Izraelit dhe Turqisë arriti një kulm prej 9.1 miliardë dollarë në 2022, krahasuar me 2.6 miliardë dollarë në vitin 2009, sipas të dhënave të doganave izraelite. Bizneset turke operojnë gjithashtu në Izrael, me Zorlu Energy me bazë në Stamboll që zotëron 25 për qind të aksioneve në një termocentral jetik izraelit. Turqia gjithashtu priti pothuajse 800,000 turistë izraelitë në vitin 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së turizmit.
Ankaraja kishte kërkuar të forconte marrëdhëniet me Izraelin përpara sulmit të 7 tetorit. Të dy vendet rivendosën lidhjet e plota diplomatike në vitin 2022 pas një mosmarrëveshjeje katërvjeçare mbi vrasjen e protestuesve në Gaza. Erdogan u takua me Netanyahun për herë të parë në shtator 2023 në një takim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Erdogan ishte i gatshëm të bashkëpunonte dhe kultivonte atë marrëdhënie me Izraelin dhe e ka bërë këtë për një kohë të gjatë”, tha Biçakçi, ndërsa vuri në dukje gjithashtu se disa nga partia qeverisëse e presidentit për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) “kanë qenë gjithmonë kundër Izraelit”.
Qëndrimi më i guximshëm i presidentit turk vjen pasi vlerësimet e tij në sondazhe kanë rënë në vend si pasojë e vështirësive ekonomike të vendit.
Një program për rindërtimin e ekonomisë, i vendosur pas rizgjedhjes së Erdoganit në maj 2023, ka ndihmuar në tërheqjen e investitorëve të huaj, por shumë turq po vuajnë nga vitet e zgjatura të inflacionit të lartë. Ka gjithashtu të dhëna në rritje se rritja dikur e shpejtë e Turqisë po ngadalësohet, ndërkohë që qeveria po heq politikat populiste që ndihmuan në zbutjen e efekteve të çmimeve të larta.
Më pak se një e pesta e votuesve do mbështeste AKP-në nëse do të caktoheshin zgjedhjet e reja parlamentare, niveli më i ulët që kur Erdogan bashkëthemeloi AKP-në në vitin 2002, sipas një sondazhi të korrikut nga Metropoll me qendër në Ankara.
Emre Peker në grupin e konsulencës për rrezikun politik Eurasia Group bëri një lidhje midis çështjeve. “Duke pasur parasysh barrën e riekuilibrimit ekonomik të Turqisë për familjet dhe biznesin vendas, për të mos përmendur vlerësimet e zymta të miratimit të presidentit, Erdogan do jetë kryesisht i interesuar në lëvizjet e politikës së jashtme që e ndihmojnë atë brenda vendit”, tha ai.
Murat Somer, një profesor i shkencave politike në Universitetin Özyegin të Stambollit, tha se retorika e presidentit do tërheqë veçanërisht pjesën me prirje islamike të bazës së tij AKP.
“Ka qenë konstante gjatë qeverisjes së AKP-së që të ripërcaktohet politika aty ku AKP sheh një avantazh dhe ku mund të çarmatosë opozitën politike të brendshme,” tha Somer.
Kjo mund të ndihmojë në zbutjen e ndikimit të kritikave ndaj Erdoganit nga partia islamike Mirëqenia e Re, e cila fitoi disa bashki të AKP-së në zgjedhjet e marsit në një platformë që kritikoi ashpër qëndrimin e qeverisë ndaj Gazës.
Analistët thanë gjithashtu se, duke pasur parasysh luhatjet e rëndësishme në marrëdhëniet izraelito-turke gjatë viteve dhe qasjen tipike pragmatike të Erdoganit ndaj punëve të jashtme, ishte e mundur që lidhjet më të ngrohta midis dy vendeve do rivendoseshin së shpejti sapo të përfundonte konflikti i Gazës.
Për momentin, Peker paralajmëroi, “politika e jashtme oportuniste dhe çdo fitore në diplomacy nuk ka gjasa të përmirësojnë materialisht sondazhet e Erdoganit dhe të AKP-së që janë me rekord të ulët. Kjo do kërkonte një ndryshim të dukshëm në jetën e përditshme të votuesve.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani