Projekti për kthimin e ish-reparteve ushtarake në qendër arti i nisur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit tashmë ka arritur në fazën e shpalljes së kompanisë fituese.
Kompania Salillari është njoftuar si fituesi i kësaj procedure me një ofertë 295 milionë lekë pa TVSH apo rreth 355 milionë lekë me TVSH (3.5 mln euro).
Por çfarë synon në fakt kontrata që ka në qendër të saj krijimin e parqeve tematike ne funksion te evokimit te vlerave kulturore rajoni 2: “Parku Tematik Kulturor, “Tirana Art Garden (Lot 1 -Infrastruktura)”.
Referuar dokumenteve, qëllimi i këtij investimi është realizimi i ndërtimit të Parkut të Artit, në Petrelë, Tiranë, sipas të gjitha standardeve specifike vendase dhe ndërkombëtare, të nevojshme për krijimin e infrastrukturës së përshtatshme për galeri arti, për të praktikuar artin (pikturë, skulpturë, fotografi etj.), për edukim cilësor dhe kushte të favorshme pune, si për punonjësit, ashtu edhe për artistët e grupmoshave të ndryshme, studentët e arteve, vizitorët vendas e të huaj.
“Koncepti kryesor i projektit bazohet sesi të integrohet dizajn i ri i propozuar me adaptimin e godinave ekzistuese në funksion të artit. Funksionet mund të shpërndahen në formë lineare ose vertikale, bazuar në traditën e qytetit të Tiranës (kalaja e Petrelës, Old Bazar Tiranë) si dhe në literaturën bashkëkohore të arkitekturës” thuhet në dokument.
Objekti “Parku tematik kulturor “Tirana Art Garden” propozohet të realizohet në Bashkinë Tiranë, në jug të qytetit, në fshatin Petrelë. Ish-magazinat e Repartit Ushtarak, gjenden në Njësinë Administrative Petrelë, në fshatin Zarranik, pranë bregut të Lumit Erzen, në një terren të gjelbër me fare pak zhvillime të karakterit rural.
Sipas raportit teknik zona e marrë në shqyrtim duhet të ketë dy hyrje, një për publikun dhe një për artistët, personelin e parkut.
“Kjo pjesë duhet të përshtatet me funksionet e shpërndara brenda parkut, dhe të konceptohet pozicionimi i tyre, në lidhje me zonën përreth. Ansambli i ndërtesave ekzistuese dhe ato të reja, do të kenë një shesh kryesor grumbullimi (main plaza), i cili do të shërbejë si shesh grumbullimi për njerëzit, i integruar me funksionet e Parkut dhe me natyrën përreth” thuhet në dokument.
Kohëzgjatja e kontratës për realizimin e këtij projekti është specifikuar në 18 muaj.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor