Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedia me 72 viktima nga djegia e pallatatit shtatë vite më parë në Londër, familjarët kërkojnë drejtësi


Një hetim publik për zjarrin në apartamentet ‘Grenfell Tower’ në Londër që vrau 72 njerëz shtatë vjet më parë do nxjerrë një raport të mërkurën me të mbijetuarit dhe familjet që shpresojnë të zbulojnë se kush ishte fajtori.

Zjarri që përfshiu bllokun 23-katësh të banesave sociale në një nga zonat më të pasura të Londrës perëndimore gjatë orëve të para të 14 qershorit 2017, ishte më vdekjeprurësi në Britani që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një sistem i veshjes me përbërje karburanti i montuar në pjesën e jashtme të kullës ndihmoi që flakët të përhapeshin në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa shumë vdiqën në apartamentet e tyre sepse ndoqën udhëzimet zyrtare për të qëndruar aty ku ishin dhe të prisnin ekipet e shpëtimit.

“Ne nuk do t’i harrojmë kurrë 72 jetët e humbura në Grenfell dhe ndajmë vendosmërinë e familjeve dhe komunitetit për të arritur tek e vërteta e asaj që ndodhi dhe që të gjithë ata që janë përgjegjës të mbahen përgjegjës”, u tha gazetarëve zëdhënësi i kryeministrit Keir Starmer.

Të mërkurën, hetimi për katastrofën, i kryesuar nga gjyqtari Martin Moore-Bick, do japë konkluzionet e tij përfundimtare, pasi ka ekzaminuar dizajnin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës, nëse rregullat e sigurisë janë respektuar dhe nëse ato ishin të përshtatshme.

Policia britanike ka thënë se 58 persona dhe 19 firma dhe organizata janë nën hetim për vepra të mundshme penale.

Megjithatë ngritja e akuzave është ende larg për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe nevojës për të marrë në konsideratë raportin e hetimit. Ato mund të përfshijnë vrasje nga korporatat, vrasje të rëndë nga pakujdesia, mashtrim, shkelje të rregulloreve të shëndetit dhe sigurisë dhe sjellje të pahijshme në një zyrë publike.

“E vetmja gjë që ka rëndësi për ata prej nesh që humbën të afërmit tanë është drejtësia. Ne nuk jemi  pyetur gjatë hetimit. Zëri ynë u grabit. Nuk na u dha zgjedhja dhe nuk i dinim pasojat dhe ndikimin në të drejtën tonë për drejtësi.” tha Hisam Choucair i cili humbi gjashtë anëtarë të familjes.

Një raport i mëparshëm i grupit hetimor në vitin 2019, i cili u përqendrua në ngjarjen, zbuloi se një defekt elektrik në një frigorifer në një banesë të katit të katërt, shkaktoi zjarrin.

Më pas, flakët u përhapën me shpejtësi, kryesisht për shkak se kulla ishte mbuluar gjatë një rinovimi të vitit 2016 me veshje të bërë nga materiali i përbërë prej alumini të ndezshëm që veproi si karbutant.

Çështja e veshjes së jashtme ka ngritur shqetësime në të gjithë Evropën ku ka pasur zjarre të ngjashme në blloqe apartamentesh si në qytetin spanjoll të Valencias në shkurt dhe në Itali në 2021.