Njeriu më i kërkuar i Australisë, kreu i Hells Angels Angelo Pandeli, është arrestuar në Dubai disa ditë më parë. Mbreti i drogës u kap javën e kaluar, por mbetet e paqartë nëse ndaj tij do ngrihen akuza, sipas Daily Mail Australia.
52-vjeçari konsiderohet të jetë një nga importuesit më të mëdhenj të kokainës dhe metamfetaminës në Australi dhe së fundmi është identifikuar si aleat i kartelit Kinahan.
Pandeli u largua nga Australia në vitin 2018 dhe është një nga shumë bosët e krimit të organizuar që kanë zgjedhur të vendosen në Emiratet e Bashkuara Arabe. Pandeli vlerësohet gjithashtu për bashkimin e krerëve të grupeve të ndryshme për trafik droge duke përdorur Dubain si bazën e tyre. Kjo vjen pak përpara se ai të udhëtonte në Meksikë për një takim të madh të Hells Angels.
Pandeli do udhëtonte në Kankun, Meksikë për një takim të madh të Hells Angels, të organizuar nga kreu i grupit në Kanada, Marty Robert. Ai do takohej me anëtarë të lartë të grupit të motoristëve me bazë ndërkombëtare, që pritet të tërheqë drejtues nga bandat e tjera motoçiklistësh të interesuara për të punuar me Hells Angels dhe për të diskutuar importet e drogës në Australi.
Kush është Angelo Pandeli?
Angelo Pandeli u bashkua me Hells Angels MC në Australi në fillim të viteve 2000. Ai vijon të jetë në listën e më të kërkuarve të Australisë dhe Policia Federale Australiane (AFP) e ka mbikëqyrur atë për më shumë se një dekadë. Raportet e vitit 2012 vënë në dukje se Pandeli kishte një “histori të gjerë kriminale” ndërsa ishte president i degës së Hells Angels në Sidnei.
Lëvizjet e tij ishin në radarin e AFP-së dhe njësive lokale të policisë në Uellsin e Ri Jugor, Territorin Verior dhe Australinë e Jugut.
Zyra e Taksave e çoi më parë 52-vjeçarin në gjykatë pasi nuk kishte paraqitur deklaratat tatimore për vitin 2014/15, megjithëse kjo akuzë u hodh poshtë në Gjykatën e Sidneit në vitin 2017 pasi ekonomisti i Pandeli mori fajin.
Akuzat e Pandelit për mashtrim tatimor ishin pjesë e Operacionit Morpheus, një përpjekje mbarëkombëtare për të luftuar krimin e organizuar, duke përfshirë bandat e paligjshme të motoçiklistëve. rezidenca e Pandelit u bastis në vitin 2018 mbi dyshimet e një komploti për të importuar metamfetaminë me vlerë 250 milionë dollarë në Australi me avion.
Pandeli u zhvendos në Dubai në vitin 2018 dhe besohet se është takuar me vëllezërit Kinahan menjëherë më pas, duke shitur apartamentin e tij në portin e Sidneit për 8.6 milionë dollarë.
Pandeli ka një rol të rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare të drogës, duke qenë një nga importuesit kryesorë të kokainës dhe metamfetaminës në Australi. Në vitin 2021, Komisioni Australian i Inteligjencës Kriminale e identifikoi atë si pjesë të “Aussie Cartel” përgjegjës për sjelljen e drogës me vlerë prej 1.5 miliardë dollarësh në Australi çdo vit.
Kokaina shitet për më shumë se 350 dollarë për gram në Australi dhe marzhet e fitimit të vendit i japin Pandelit ndikim të madh në zinxhirin e furnizimit global.
Ai është emëruar nga ACIC si pjesë e ‘Kartelit Aussie’, që përfshin australianë, persona me shtetësi të dyfishtë ose shtetas të huaj me lidhje me Australinë, të cilët operojnë kryesisht në parajsat fiskale dhe bashkërendojnë dërgesat e mëdha të drogës në Australi. Karteli Aussie ka punuar me Tse Chi Lop ose Sam Gor Syndicate dhe kartele të tjera të trafikut të drogës. Shumica e përmendur nga ACIC janë arrestuar dhe janë në paraburgim në Australi ose janë duke u ekstraduar në Australi.
Ai u lidh fillimisht publikisht me Kartelin Kinahan në qershor të këtij viti, pas një hetimi të përbashkët nga True Crime Australia, The Times dhe The Sunday Times.
Hetimi pretendoi se Pandeli dhe Kinahanët janë nën hetim për përpjekjen për të kontrabanduar kokainë me vlerë dhjetëra milionë euro nga Kolumbia në Evropë përmes Irlandës. Duke pretenduar se Pandeli ka krijuar një aleancë me Kinahanët për të shpërndarë kokainë në mbarë botën.
Samiti i Hells Angels në Meksikë
Pandelit do t’i bashkoheshin motoçiklistët e Hells Angels me bazë në Tajlandë, Kanada, Holandë, Rusi dhe Evropën Lindore. Anëtarët e lartë pritet të diskutojnë importet e drogës në Australi dhe të festojnë lidhjet me Nomads, një grup tjetër australian motoçiklistësh.
Është e paqartë nëse ai do marrë pjesë në mbledhje, nëse do jetë në gjendje të krijojë lidhjet e duhura, që me shumë mundësi do mbahet në klubin shumëkatësh të Hells Angels në Kankun dhe pritet të zhvillohet sot.
Hells Angels, banda më e madhe e motoçiklistëve në botë me pothuajse 5000 anëtarë në rreth 475 degë në më shumë se 60 vende, dihet se operojnë në shkallë ndërkombëtare. Çdo degë konsiderohet autonom brenda organizatës më të madhe. Kjo e ka bërë të vështirë për autoritetet që të ndjekin organizatën në tërësi. Në shumë vende si Australia, shumë anëtarë të Hells Angels nuk kanë qenë motoçiklistë, duke përdorur organizatën dhe reputacionin për aktivitet kriminal.
Besohet se dega e parë ndërkombëtare e klubit u themelua në Auckland, Zelanda e Re në 1961 me qëllimin kryesor të importimit të kimikateve përrbërëse të amfetaminës pasi ato nuk ishin të kufizuara në atë vend deri disa dekada më vonë.
E marrë në konsideratë pas vrasjeve të disa figurave të krimit të organizuar në Quebec dhe vrasjes së një trafikanti droge me bazë në Kankun, Meksikë vitin e kaluar; Martin Robert, i njohur më mirë si Marty është bërë një qendër e fuqishme në skenën e motoçiklistëve dhe krimit të organizuar në Montreal.
Qëllimi përfundimtar i Robert mund të jetë që HA kanadeze, grupi i tij i Montrealit së bashku me grupin Hamilton të udhëhequr nga Walter Stadnick, një legjendë në botën kanadeze të motoristëve, të bëhet selia globale e pushtetit për Hells Angels dhe të ‘transnacionalizojë’ më tej grupin, veçanërisht në rajonet ku ata kanë pasur më pak ndikim në të kaluarën. Udhëtimet e fundit të Robert në disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, janë pjesë e këtyre përpjekjeve për transnacionalizim
Udhëheqësit e Hells Angels, Marty Robert dhe Angelo Pandeli u mblodhën së bashku këtë verë në qershor në Dubai për të diskutuar mbi operacionet dhe biznesin, të gjitha si pjesë e përpjekjeve të Robert gjatë gjysmë vitit të kaluar për të rritur ndikimin e HA-ve kanadeze në skenën botërore.
Besohet se Robert urdhëroi vrasjen e Samy Tamouro, trafikantit të drogës Hells Angels, i cili iku në Kankun, Meksikë. Vrasësit, të kapur në video dhe të arrestuar pak më pas, besohet se kanë punuar për kartelin meksikan CJNG (Jalisco Neë Generation).
Dekada më parë, aleancat me mafian e Montrealit, përkatësisht Familjen Rizzuto, panë Hells Angels dhe anëtarët e klubit që trajtonin shpërndarjen lokale dhe tregtimin e drogës, të vepronin si krahu i armatosur dhe vrasës për mafian kanadeze. Anëtarët e Bandës irlandeze të West End kontrollonin portet, mafia importonte heroinë dhe kokainë dhe me rrjetin e gjerë të vendit të anëtarëve të Hells Angels, Aleanca kontribuoi në problemet e Kanadasë me drogën.
Vitet e fundit, Montreal Hells Angels kanë filluar të marrin një rol më të madh në kontrollin e të gjitha aspekteve të importimit dhe shpërndarjes së drogës në të gjithë Kanadanë. Lufta midis fraksioneve italiane i kanë lënë Rizzutot të shkatërruar dhe me vrasjen e Gregory Ëoolley vitin e kaluar, që dyshohet se u urdhërua edhe nga Marty Robert, lidhjet midis mafies dhe klubit të motoçiklistëve janë ndërprerë.
Në prill 2024, anëtari i lartë i Hells Angels, Jason Fahey (në mes) u arrestua gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij buzë detit në Five Dock në pjesën perëndimore të Sidneit.
Ai ishte më parë Presidenti Kombëtar Aussie Bandidos, por iu bashkua Hell Angels vitin e kaluar. Fotot e takimit të dy klubeve për drekë sugjerojnë një aleancë të fortë midis dy klubeve për të dominuar krimin e organizuar australian dhe importin e drogës.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Borderland Beat
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani