Një grup shqiptarësh janë dënuar në Angli për trafikim emigrantësh dhe kultivim kanabisi, pas një hetimi të gjerë për lidhje me krimin e organizuar.
Dritan Meta, 43 vjeç, u shpall fajtor për komplot për trafikim të paligjshëm të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe për prodhim të kanabisit, me dënim prej 11 vitesh burg.
Ilir Kodra, 49 vjeç, u shpall gjithashtu fajtor për trafikim emigrantësh dhe u dënua me katër vjet e shtatë muaj burg. Refik Skepi, 45 vjeç, dhe Visar Elezaj, 39 vjeç, u dënuan për prodhim kanabisi, përkatësisht me 6 dhe 3.5 vjet burg.
Hetimi filloi në prill 2022, duke zbuluar aktivitetin e tyre në trafikun e emigrantëve nga Dunkirk në Francë drejt Mbretërisë së Bashkuar, përmes gomoneve.
Në një rast më 16 gusht 2022, u ndihmuan të kalonin tre emigrantë nga Dunkirk, ndërsa në total, në gomonen e tyre gjendeshin 49 persona, përfshirë pesë fëmijë nën 10 vjeç.
Ndërkohë, në një operacion tjetër, u zbuluan fabrika kanabisi në Essex dhe Oxford, ku kultivoheshin mbi 1000 bimë, me një vlerë të tregut midis 1.3 dhe 1.6 milion paund.
Pas arrestimit, të gjithë pjesëtarët e grupit u akuzuan në shtator 2023.
Dritan Meta
Ilir Kodra
Refik Skepi
Visar Elezaj