Rusia ka blerë fshehurazi mallra të rëndësishme në Indi dhe ka eksploruar objekte në vend për të siguruar përbërës kritikë për luftën e saj në Ukrainë, sipas korrespondencës shtetërore ruse të parë nga Financial Times.
Ministria ruse e Industrisë dhe Tregtisë, që mbikëqyr prodhimin e armëve dhe municioneve për të mbështetur pushtimin e plotë të Ukrainës nga Moska, hartoi plane konfidenciale në tetor 2022 për të shpenzuar rreth 1 miliardë dollarë për sigurimin e pajisjeve elektronike të rëndësishme përmes kanaleve të fshehura nga qeveritë perëndimore.
Plani, i zbuluar në letrat drejtuar një organi të fshehtë të promovimit të tregtisë me lidhje të forta me shërbimet ruse të sigurisë, synonte të përdorte “rezerva të konsiderueshme” rupish të grumbulluara nga bankat ruse nga lulëzimi i shitjeve të naftës në Indi. Ajo e pa Indinë si një treg alternativ për të marrë mallra thelbësore “të furnizuara më parë nga vende jomiqësore”.
Rusia dhe partnerët e saj indianë synuan teknologjitë me përdorim të dyfishtë – mallra me përdorim civil dhe ushtarake – që mund të kalojnë kontrollet perëndimore të eksporteve, sipas dokumenteve si dhe zyrtarëve perëndimorë dhe dy biznesmenëve të përfshirë në tregti. Moska madje parashikoi pompimin e investimeve në objektet e zhvillimit dhe prodhimit të elektronikës ruso-indiane, sipas dosjeve të zbuluara.
Korrespondenca tregon se si Rusia arriti të forcojë marrëdhëniet me Nju Delhin, edhe pse kryeministri Narendra Modi e afroi vendin më afër se kurrë në orbitën e SHBA-së. Gjatë një vizite shtetërore në Uashington vitin e kaluar, Modi nënshkroi një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi indo-amerikane në fusha që shkojnë nga motorët e avancuar të avionëve deri te inteligjenca artificiale.
Ndërsa shkalla në të cilën Moska zbatoi planin e saj është e paqartë, të dhënat e hollësishme të rrjedhës tregtare sugjerojnë se marrëdhënia me Indinë është rritur më thellë në kategoritë specifike të mallrave të identifikuara në korrespondencën ruse.
Lidhjet e Indisë me Moskën kanë qenë një burim në rritje fërkimi me Uashingtonin. Ëally Adeyemo, zëvendës sekretari i thesarit i SHBA-së, u shkroi në korrik tre grupeve më të rëndësishme të biznesit të Indisë duke i paralajmëruar se “çdo institucion financiar i huaj që bën biznes me bazën industriale ushtarake të Rusisë rrezikon të sanksionohet”.
Adeyemo shtoi: “Ky rrezik i rritur i sanksioneve ekziston pavarësisht nga monedha e përdorur në transaksion.”
Ndërkohë që Modi është ankuar për ndikimin në ekonomi të luftës sëRusisë në Ukrainë dhe u ka kërkuar të dyja palëve të bëjnë paqe, Delhi zgjati një litar shpëtimi ekonomik për Rusinë pasi ajo u godit nga sanksionet perëndimore.
India ka qenë një blerës kryesor i naftës së papërpunuar ruse dhe tregtia e dy vendeve arriti në 66 miliardë dollarë në vitin financiar 2023-24, një rritje pesëfish në krahasim me vitin e kaluar para pushtimit. Një pjesë e tregtisë është bërë në rupi, duke e lënë Rusinë me një tepricë të monedhës.
Kremlini ka pranuar vështirësi në riatdhesimin e fitimeve të naftës së Rusisë për shkak të sanksioneve të SHBA-së dhe kufizimeve të monedhës. Grupet ruse kanë përdorur rupi për të tregtuar arin dhe për të blerë mallra për t’iu shmangur sanksioneve, sipas njerëzve të përfshirë në tregti dhe zyrtarëve perëndimorë.
Zyrtari i qeverisë qendrore ruse i përfshirë në korrespondencën e zbuluar, Alexander Gaponov, është nënkryetari i divizionit të “radioelektronikës” të ministrisë. Është një divizion me ndjeshmëri të veçantë, sepse Rusia mbështetet në pajisjet elektronike të prodhuara nga jashtë për përdorim në raketa, drone dhe luftë elektronike.
Gaponov në tetor 2022 i kërkoi një organizate të errët me bazë në Moskë me lidhje me shërbimet ruse të sigurisë – Konsorciumin për Aktivitetin e Jashtëm Ekonomik dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar Ndërshtetëror në Industri – të paraqesë planet për blerjen e pëbërësve kritikë nga India.
Vadim Poida, presidenti i konsorciumit, u përgjigj se kishte zhvilluar “plane specifike” me industrinë ruse të elektronikës dhe “përfaqësues të shteteve përkatëse indiane dhe bizneseve private” që kishin “potencial të lartë” për të përdorur rupinë që kishte grumbulluar Kremlini.
Më pas ai përshkroi një plan me pesë faza për të ndihmuar Rusinë të shpenzojë rupitë e saj dhe të krijojë një furnizim të qëndrueshëm të përbërësve me përdorim të dyfishtë. Rusia do krijojë një “sistem të mbyllur pagesash midis kompanive ruse dhe indiane” përtej mbikëqyrjes së vendeve perëndimore, “duke përfshirë përdorimin e aseteve financiare dixhitale”, shkroi Poida.
Konsorciumi i Poida vlerësoi se Rusia mund të blinte deri në 100 miliardë dollarë përbërës, duke përfshirë pjesë për “telekomunikacion, servera dhe pajisje të tjera komplekse elektronike” të blera më parë nga vendet perëndimore.
Anëtarët e saj, shkroi Poida, kishin filluar projekte pilot për prodhimin e përbërësve të projektuar nga Rusia në Indi dhe kryen “punë të hollësishme mbi çështjen e fshehjes së informacionit në lidhje me pjesëmarrjen e individëve dhe subjekteve korporative ruse, si dhe logjistikën e furnizimit nëpërmjet vendeve të treta”. Fonde shtesë mund të shpenzohen për mbështetjen e sipërmarrjeve të përbashkëta në Indi për fabrikat e elektronikës të nevojshme “për të përmbushur nevojat e infrastrukturës së informacionit kritik ruse”.
Subjekti juridik i konsorciumit u krijua në vitin 2013, nominalisht si një mjet për zhvillimin e aplikacioneve. Poida e mori atë dhe e riemëroi në mars të vitit 2022, më pak se një muaj pasi Putini urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Një zyrtar perëndimor konfirmoi se grupi, i cili përmend takimet që përfshijnë shërbimet e sigurisë në korrespondencën e zbuluar, është një parnter për inteligjencën ruse.
Shkëmbimi i rrjedhur i dokumenteve përmend pagesën për dy kategori specifike doganore të mallrave, llojet e elektronikës dhe makinerive, në rupi. Regjistrimet ruse tregojnë se tregtia në këto kategori është rritur nga vëllime të papërfillshme në mesin e vitit 2022.
Deklaratat doganore zbulojnë gjithashtu artikuj të veçantë që potencialisht përputhen me aktivitetet e projektit. Innovio Ventures, një kompani indiane, u rendit në deklaratat tregtare si furnizuesi i të paktën 4.9 milionë dollarëve të pajisjeve elektronike, përfshirë dronët, në Rusi, si dhe 600,000 dollarë mallra të dërguara në Kirgistan. Transaksionet u renditën në dosjet ruse të shlyera në rupi.
Dërgesat në Rusi përfshijnë 568,000 dollarë pajisje elektronike për përdorim në sistemet radio-elektronike për një kompani ruse të quajtur Testkomplekt, e cila është goditur nga sanksionet e SHBA-së dhe BE-së për të qenë në zemër të sistemit të prokurimit ushtarak të Moskës.
Një biznesmen indian i njohur me tregtinë e Rusisë me Indinë tha se Moska kishte bërë gjithashtu punë për të krijuar objekte në Indi.
“Një pjesë e këtij operacioni do vendosej në Indi për të arritur prodhimin e nevojshëm të artikujve me përdorim të dyfishtë,” tha biznesmeni indian.
“Mund të jenë artikuj elektronikë me vlerë jo shumë të rëndësishme si ato që gjenden në lavatriçe ose frigoriferë. Ato mund të eksportohen më pasnë Rusi.” – shtoi ai.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani