Operacioni i madh antidrogë u zhvillua në Romë, në lagjen Tor Bella Monaca, ku agjentët e Guardia di Finanza sekuestruan mbi 150 kg drogë dhe armë lufte.
Si rezultat u arrestuan dhjetë persona, përfshirë dhe drejtuesit e shpërndarjes së drogës.
Tetë prej të arrestuarve u vendosën në burg, një në arrest shtëpie dhe një tjetër nën detyrim paraqitjeje për akuzat e krijimit të një organizate kriminale për trafikimin e drogës, prodhimin dhe trafikun e substancave narkotike, mbajtjen dhe përdorimin e armëve të paligjshme, posedimin e dokumenteve të rreme të identifikimit, falsifikim të identitetit dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Ky operacion është rezultat i hetimeve të koordinuara nga Drejtoria Rajonale Antimafia dhe të kryera nga Njësia e Policisë Ekonomike-Financiare (GICO) dhe Njësia e 3-të Operative Metropolitane të Romës, përcjellin mediat.
Gjatë hetimeve u mblodhën prova të rëndësishme që tregojnë se të dyshuarit kanë ngritur një strukturë të organizuar në Tor Bella Monaca, me qëllim furnizimin dhe shpërndarjen me shumicë të sasive të mëdha të drogës.
Organizata kishte në dispozicion një numër të konsiderueshëm “punonjësish” që merreshin me menaxhimin e zonave të shpërndarjes së drogës, duke përdorur edhe akte dhune për të mbajtur kontrollin e tregut përballë përpjekjeve të grupeve rivale.
Gjatë hetimeve u zbulua se grupi kriminal kishte në dispozicion armë të kalibrit të madh (pushkë të tipit pompa) dhe armë lufte (kalashnikovë).
Hetimet çuan në sekuestrimin e mbi 72 kg kokainë, e cila kishte mbërritur nga Ekuadori në portin e Civitavecchia, si dhe një plantacion marijuane i zbuluar në një vilë në provincën e Romës.
Po ashtu, u dokumentua blerja nga Spanja e mbi 50 kg hashash të tipit “polen”, dhe disa raste të shitjeve me shumicë të mbi 30 kg marijuanë.