Vendosni fjalën kyçe....

Mbledhja e Kryesisë së PD, Gjekmarkaj: Berisha është figurë kryesore, i padiskutueshëm në drejtimin e partisë


Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, gjatë një interviste në rubrikën Opinion në News 24, ka komentuar mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ku u zgjodhën 12 drejtuesit politikë për qarqe.

Gjekmarkaj, i cili u emërua kryesues për qarkun e Lezhës, vlerësoi udhëzimet e Sali Berishës në mbledhje, duke theksuar se Berisha mbetet figura kryesore e padiskutueshme e partisë.

Sipas Gjekmarkajt, situata aktuale në vend është alarmante, me krimin e organizuar që menaxhon votat dhe qeverinë e drejtuar nga Edi Rama, të cilin e akuzoi për sjellje autokratike.

Ai theksoi se PD, tashmë e bashkuar, është gati të angazhohet për një fushatë më të suksesshme, duke shpresuar në mbështetjen e qytetarëve të irrituar nga gjendja aktuale.

“Në mbledhjen e Kryesisë së PD u diskutua për gjendjen e vendit. Fjala e Berishës ishte një apel, një fjalë udhëzuese për strukturat e PD dhe për vetë qytetarët që shohin me shpresë nga opozita.

Pjesa e dytë ishte shpallja e kryesuesve në qarqe. U zgjodha kryesues i PD për qarkun Lezhë. Unë jam një person që besoj se kam bërë dhe do të bëjë gjithçka për Lezhën.

Berisha është figura kryesore e PD, është i padiskutueshëm në drejtimin e Partisë Demokratike.

Qytetarët jetojnë në një shtet, ku iu futen duart në xhep, ku krimi i organizuar menaxhon votat dhe qytetarët besoj se janë të irrituar nga kjo situatë.

Rama po sillet si mbret në Republikë Parlamentare dhe qytetarët kanë të drejtë të reagojnë. PD grumbulloi gati 600 mijë vota, në kushte tepër të këqija, do bëjë më mirë tashmë që jemi bashkuar.

12 drejtuesit e PD në qarqe kanë integritetin për të udhëhequr fushatën të suksesshme. Drejtësia e re po vepron me regji.”