Presidenti francez Emmanuel Macron ka emëruar Michel Barnier si kryeministër, pothuajse dy muaj pasi zgjedhjet e parakohshme në Francë përfunduan me një ngërç politik.
73 vjeçari Barnier, është ish-kryenegociatori i BE-së për Brexit dhe ka udhëhequr bisedimet me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar midis viteve 2016 dhe 2019, përcjell BBC.
Veteran i partisë së djathtë Republikanët (LR), ai ka pasur një karrierë të gjatë politike dhe ka mbajtur disa poste të larta, si në Francë, ashtu edhe brenda BE-së.
Ai tani do të duhet të formojë një qeveri që do të duhet të mbijetojë në një Asamble Kombëtare të ndarë në tre blloqe të mëdha politike, ku asnjëri nuk ka arritur të formojë një shumicë të qartë.
Tre vjet më parë, Z. Barnier kishte shprehur dëshirën për të sfiduar Presidentin Macron për presidencën franceze, duke thënë se donte të kufizonte dhe të kontrollonte imigracionin.
Ai përfundimisht nuk u zgjodh si kandidat nga partia e tij.
Barnier do të jetë kryeministri më i vjetër i Francës që nga krijimi i Republikës së Pestë në vitin 1958.
Ai pritet të zëvendësojë Gabriel Attal, kryeministrin më të ri në historinë e Francës, të cilin Presidenti Macron e emëroi kryeministër në fillim të vitit 2024 dhe që ka qëndruar në detyrë si kujdestar që nga korriku.