Vendosni fjalën kyçe....

Nis sezoni i parë i ‘Dyrrah City Football Academy’, bursa për fëmijët


Dyrrah City Football Academy ka ngritur siparin. Akademia shqiptare e futbollit, në bashkpunim me klubin shumë prestigjioz të Manchester Cityt, kanë nisur sezonin e ri, pas rregjistrimeve të kryera në periudha të ndryshme gjatë verës.

Me bazë në Durrës, konkretisht në sektorin ‘Rinia’, shumë fëmijë nga mosha 7-18 vjeç, do ketë mundësinë të stërviten nga trajnerë të ardhur enkas nga klubi anglez, të cilët do qëndrojnë në Shqipëri për të evidentuar talentet e futbollit tonë.

Më të mirët do dërgohen në Angli për të provuar shansin e jetës.

“Është kënaqësi e madhe të jesh këtu sot për të inauguruar akademinë e Manchester Cityt në Durrës. Për ata që e kanë një ambicie për të qënë lojtar profesionist ne do të japim mundësi që të zhvillohen, të rriten, t’i sfidojmë e të shohim deri ku do shkojnë. Ky nuk është një projekt vetëm për ata që e kanë pasion, por një shkollë jete për të gjithë,”-u shpreh Jorgina Busquets, drejtoresha e edukimit për futbollin te M.City.

Akademia e Futbollit ‘Dyrrah City’, që mbështet nga qeveria shqiptare, ka shpërndarë bursa për shumë fëmijë të cilët më herët e kishin të pamundur të ushtronin pasionin e tyre, ndërsa do stërviten sipas metodave më innovative të futbollit.

E ndërkohë që u zhvillua stërvitja e parë e sezonit të ri u bë me dije edhe se punimet për ndërtimin e akademisë kanë nisur dhe puna është në themele. Ajo pritet të jetë gati brenda vitit, ndërsa përveç 8 fushave të futbollit përfshin palestra, parkime, hapësira të brendshme dhe park në dy anët e tij.