Rusia tha se do të ndërmarrë masa hakmarrëse ndaj mediave amerikane si përgjigje ndaj akuzave të Shteteve të Bashkuara për udhëheqësit e mediave ruse dhe transmetuesit shtetërorë, Russia Today (RT), që Uashingtoni i akuzon se po tentojnë të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Një ditë më herët, SHBA-ja ngriti akuza për pastrim parash ndaj dy punonjësve të RT-së për atë që zyrtarët thanë se ishte një skemë për të punësuar një kompani amerikane që të prodhojë përmbajtje online për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2024.
SHBA-ja, po ashtu, njoftoi për veprime që shënjestrojnë RT-në, përfshirë kryeredaktoren Margarita Simonyan. Zyrtarët amerikanë thanë se qëllimi i Rusisë është të krijojë përçarje politike në SHBA dhe të dobësojë mbështetjen e publikut amerikan për ndihmën për Ukrainën, e cila po përballet me luftën e nisur nga Rusia.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se lëvizjet e SHBA-së ishin pjesë e një plani për të mbytur çdo zë kundërshtues nga peizazhi mediatik dhe për të nxitur frikë në mesin e votuesve amerikanë lidhur me Rusinë, duke e paraqitur si një armike mitike të jashtme.
“Kur autoritetet ndërmarrin veprime të tilla primitive për të ndikuar te votuesit e tyre, kjo paraqet rënie të ‘demokracive liberale’”, tha zëdhënësja e MPJ-së ruse përmes një deklarate.
“Do të ketë përgjigje”, shtoi ajo.
Reporterët pa Kufij e listojnë Rusinë në vendin e 162-të nga 180, sa i përket lirisë së medias, ndërkaq SHBA-ja renditet në vendin e 55-të.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, Rusia ka shtrënguar kontrollin mbi informacionin dhe mediat, duke detyruar shumë prej tyre që t’i mbyllin zyrat në Rusi. Moska, po ashtu, i ka shpallur shumë gazetarë dhe aktivistë si “agjentë të huaj”.
Shumë media perëndimore janë larguar nga Rusia që nga nisja e luftës dhe pothuajse asnjë gazetar amerikan nuk ka mbetur në Rusi./REL