Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i Marklen Hakës, ministri Hoxha përgëzon policinë për operacionin


Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka reaguar pas arrestimit të Marklen Hakës, një person i njohur për drejtësinë dhe në kërkim për vepra të rënda penale. Hoxha përgëzoi policinë për operacionin e suksesshëm që çoi në kapjen e Hakës në Nikël të Krujës.

Sipas Hoxhës, operacioni i kryer nga Forcat Speciale RENEA, bazuar në informacione të siguruara nga Policia e Tiranës, u realizua në mënyrë profesionale. 

Ministri theksoi se policia dhe agjencitë ligjzbatuese do të vazhdojnë të japin përgjigjen e duhur ndaj përpjekjeve për t’ju shmangur drejtësisë, duke falënderuar forcat për angazhimin e tyre në operacionin me rrezik të lartë.

“Në prangat e Policisë së Shtetit ka rënë pak minuta më parë i shumëkërkuari Marklen Haka alias Aliu, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda, pas një operacioni profesional të Forcave Speciale RENEA, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës.

Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri, e bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë.

Përpjekja për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë po merr e do të marrë çdo ditë e më shumë përgjigjen e duhur nga uniformat blu dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Ky është momenti për të përgëzuar dhe shprehur respekt, për forcat e angazhuara në operacionin me shkallë të lartë rrezikshmërie”, shprehet Hoxha.