Vendosni fjalën kyçe....

Beleri: Amerikanët pjesë e skenarit për dorëheqjen time


Pak orë pas daljes nga burgu, eurodeputeti i partisë greke në pushtet Nea Demokracia deklaroi se kishte patur oferta që të jepte dorëheqjen nga mandati i fituar i kryetarit të Bashkisë së Himarës.

Ai tha se zyrtarë të partnerëve tanë kryesorë kishin takuar javën e parë të arrestimit të birin dhe të vëllanë duke u sugjeruar atyre dorëheqjen e Belerit dhe gjetjen e një kandidati tjetër, qoftë edhe e një anëtari të familjes Beleri.

Në intervistën për gazetaren Elona Meço, në emisionin “Pa Censurë”, Fredi Beleri pohoi se ka pasur edhe amerikanë pjesë të ofertës për të dhënë dorëheqjen.

Pjesë nga intervista:

Elona Meço: Ju pohuat pas daljes nga burgu se keni patur oferta nga zyrtarë të partnerëve tanë kryesorë për të dhënë dorëheqjen në shkëmbim të lirisë. Kush jua bëri këtë ofertë?

Fredi Beleri: Po kë kemi ne partnerë kryesorë?

Elona Meço: Amerikanët di unë që kemi. Ishin ata?

Fredi Beleri: Edhe nga ata.

Elona Meço: “Edhe nga ata”, kush ishte tjetër?

Fredi Beleri: Po Shqipëria ka edhe partnerë të tjerë, ndërmjetës ka, dashamirës. Por edhe ky ishte një mashtrim i radhës. Sepse oferta ishte që të vëmë një djalë të mirë, pa probleme, që të ketë mundësi të fitojë bashkinë, të ndëshkojë populli me votë gabimet e qeverisë. Erdhi zoti Gjikuria, që për mua është një qytetar model dhe sulmi që iu bë ishte 10 fish më i madh se sulmi që m’u bë mua në 2023-shin para zgjedhjeve. 

Një nga sulmet që përmendi zoti Beleri ndaj kandidatit të opozitës ishin takimet e tij më ish kreun e CIA-s Gejts.

“Pse zoti Gejts është i mirë kur takon kryeministrin shqiptar dhe kur takon zotin Gjikuria është problem?!- tha për RTSH Fredi Beleri duke kritikuar standardet e dyfishta të përdorur në fushatë elektorale kundër opozitës.