Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Kryetari Sali Berisha shprehu optimizëm për të ardhmen e partisë, duke deklaruar se ky është shtatori i fundit që PD e kalon në opozitë. Sipas Berishës, rotacioni politik do të ndodhë në vitin 2025 dhe PD do të rikthehet në pushtet.
Berisha e cilësoi periudhën e ardhshme si një betejë finale përpara zgjedhjeve të vitit 2025, duke theksuar se demokratët duhet të tregojnë bindje dhe besim të fortë për fitore. Ai nënvizoi se këto 9 muaj janë vendimtarë për të përballuar “të keqen” që, sipas tij, ka dëmtuar rëndë procesin elektoral dhe ka shkatërruar pluralizmin politik në Shqipëri.
Ish-kryeministri theksoi se, ndonëse PD është plagosur gjatë këtyre viteve, tani partia është më e bashkuar dhe më e fortë se kurrë. Ai u bëri thirrje demokratëve të qëndrojnë të fortë dhe të besojnë në fitoren e ardhshme.
“Ky është shtatori i fundit që na gjen në opozitë. PD në vitin 2025 merr pushtetin, rrotacioni nuk mund dhe nuk do të vonojë më. Rotacioni është në duart tona, në guximin dhe sakrificën tonë dhe nuk ka asnjë opsion tjetër
Kemi hyrë në muajin e 9 përpara betejës finale elektorale. Në 9 muaj kemi përballjen finale kundër të keqes që në 11 vite asgjësoi procesin e vërtetë elektoral, plaçkiti dhe dëboi masivisht shqiptarët. I them këto se çdo demokrat dhe demokrate kur të kërkojë votën për PD demokratëve duhet ti shihet në sy bindja për fitore, demokratëve duhet ti dëgjohet në zë bindja për fitore, duhet ti lexohet në shpirt bindja për fitore, demokratëve duhet t’u lexohet në trup bindja për fitore, e gjithë kjo sepse më shumë se kurrë fitorja qëndron në guximin, besimin dhe duart tona.
Këto vite PD e plagosën, e plagosën jo pak, kjo nuk mohoet. Me sulmin që na u bë kemi luftuar më shumë në mbrojtje sesa në sulm. Duhet të mbronim flamurin tonë, duhet të mbronim programin tonë, pluralizmin politik në Shqipëri që po jepte shpirt, duhet të mbronin opozitën shqiptare.
Sot kjo betejë ka mbaruar, realiteti është krejt i ri, kushtet kanë ndryshuar. Sot ne jemi të bashkuar, sot jemi PDSH më e fortë se kurrë”, u shpreh Berisha.