Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke e akuzuar atë se e vret votën e lirë para se të arrijë në kuti. Berisha theksoi se ky proces është bërë një “funeral i trishtë” që i shërbehet qytetarëve me ndihmën e Edi Ramës dhe, sipas tij, disa ndërkombëtarëve të blerë.
Ai u bëri thirrje demokratëve të kalojnë nga mbrojtja në sulm dhe të bëjnë fitoren e opozitës opsionin e vetëm. Berisha shprehu besimin se e vetmja përgjegjësi e opozitës është të luftojë për rikthimin e votës së lirë dhe largimin e Edi Ramës nga qeveria. Ai theksoi se PD duhet të përqendrohet në fjalët “sulm” dhe “fitore” për të arritur objektivat e saj në 9 muajt e ardhshëm.
“Vota e lirë sot në Shqipëri, njëlloj si në diktaturën stalisniste, vdes para syve tanë, pa hyrë akoma në kuti. Ky funeral i trishtë para ditës së votimit, u servieret me tamtame të mëdha nga Edi Rama, por edhe nga ndonjë McGonigal me kostum ambasadori i blerë nga Edi Rama.
Duke mos pranuar kurrë që opozita është e përsosur, deklaroj se ajo ka vetëm një përgjegjësi, për funeralin elektoral që zhvillohet para ditës së zgjedhjeve, janë përgjegjësi e Edi Ramës.
Lidhur sa më sipër shtoj, të dashur miq cilido që mendon se me Edi Ramën në qeveri fitohen zgjedhje të lira, që nuk i vjedh por i fiton, duhet të pranojë se mashtrojnë organizata ndërkombëtare të fushës elektorale, se Shqipëria kontrollon votën e zgjedhësve.
Shqipëri, njëlloj si diktaturë bandash, ekzekuton votën para se të hyjë në kuti dhe funerali i saj mbyllet natën e votimit.
Të vërtetën duhet ta shohim drejt në sy dhe me guxim. Në këtë situatë, kemi vetëm një përgjegjësi që është largimi i Edi Ramës dhe rikthimi i votës së lirë. Detyrë vërtet e vështirë, por e realizueshme. Kjo është kauza e të gjitha kauzave të demokratëve, që frymëzon ata që grihen dhe sakrifikojnë për të.
Natyrshëm lind pyetja, a ka forcën politikë për të realizuar këtë kauzë. PD këto 9 muaj, duhet të jetë, të kalojë nga mbrojtja në sulm dhe secili nga ne duhet të përsërisë çdo ditë dy fjalë; sulm dhe fitore.
PD duhet të jetë vetëm sulm dhe fitore. Fitorja e opozitës dihet të jetë opsioni ynë i vetëm”, tha Berisha.