Vendosni fjalën kyçe....

Edicioni i 22-të i Tirana International Film Festival, njihuni me eventin që nis në 22 shtator në Tiranë


Edicioni i 22-të i Tirana International Film Festival (TIFF), një nga ngjarjet më prestigjioze të kinemasë në Shqipëri dhe rajon, do të zhvillohet nga data 22 deri më 28 shtator 2024.

Ky festival, që kualifikon për Oscars® dhe European Film Awards, do të sjellë mbi 200 premiera filmash nga mbarë bota, duke përfshirë projekte të shkurtër dhe të gjatë në zhanre të ndryshme.

Një nga veçantitë e këtij edicioni është programi RetrospectTIFF, që i kushtohet aktorit legjendar Marcello Mastroianni. Për të nderuar 100-vjetorin e lindjes së tij, TIFF do të shfaqë katër nga filmat më të rëndësishëm të karrierës së tij, përfshirë klasiket e njohura si: “8 e Mezzo” dhe “La Dolce Vita” nga regjisori i madh Federico Fellini.

Në vijim të festivalit, filmi shqiptar Kapedani do të shfaqet për herë të parë i restauruar në format 4K. Kjo komedi klasike, që vazhdon të jetë një referencë kulturore për breza të tërë, do të ketë premierën e saj në kinemanë Millenium.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe talentit të ri shqiptar dhe rajonal. Programi Kosova’s Young Film Talents sjell në qendër të vëmendjes filmat e shkurtër nga studentët e Fakultetit të Arteve të Kosovës, duke treguar zhvillimin e kineastëve të rinj të rajonit.

Për ata që janë të interesuar në industrinë e filmit, SCREENPLAY ContesTIFF do të prezantojë 10 skenarë të nominuar nga producentët dhe distributorët, me mundësi reale për t’u kthyer në filma të suksesshëm. Po ashtu, ICDA’s Semiramis Award for Excellence in Casting do të nderojë arritjet e jashtëzakonshme në casting, një komponent thelbësor në prodhimin cilësor të filmave.

Festivali do të sjellë gjithashtu programe të veçanta për të rinjtë dhe fëmijët, si KIDs Program dhe TEENs, me filma të krijuar enkas për moshat 5-10 dhe 11+ vjeç. Në kinemanë “Tonin Harapi” të Liceut Artistik, fëmijët do të kenë mundësinë të shijojnë filma të shkurtër dhe të jenë pjesë e procesit të vlerësimit përmes votave të tyre.

Për herë të parë, TIFF do të prezantojë filma të krijuar me inteligjencë artificiale (AI), duke sjellë një program inovativ të shoqëruar me diskutime rreth ndikimit të AI në kinematografi. Kjo hap një horizont të ri për audiencën dhe krijuesit e filmit.

Me një program të pasur që përfshin homazhe për legjendat e filmit, premiera të veprave të reja, dhe aktivitete për profesionistët e industrisë, TIFF 2024 premton të jetë një festë kinematografike e paharrueshme.