Pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbllakut si drejtor i Policisë së Shtetit dhe komandimit të Sokol Bozhgës në vend të tij, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka shkarkuar 12 drejtorët e policisë në qarqe. Hoxha tha se kjo bëhet për t’i hapur rrugën reformimit të policisë
Në fjalën e tij gjatë takimit me drejtuesit e policisë në 12 qarqet e vendit, Hoxha tha se ka ardhur koha për të nisur një kapitull të ri në polici dhe për t’ua kaluar stafetën një tjetër brezi drejtuesish.
“Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian. Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030”, tha ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.