Vendosni fjalën kyçe....

“Jam e vetmja zgjidhje” – Conor McGregor do garojë për president të Irlandës


Ish-kampioni i dy divizioneve të UFC-së, Conor McGregor, ka sugjeruar se do kandidojë për president të Irlandës vitin e ardhshëm, duke e përshkruar veten si “zgjidhja e vetme logjike” për këtë rol dhe duke premtuar “t’i mbledhë” politikanët e vendit përpara tij për t’iu përgjigjur njerëzve të Irlandës.

Në një postim në X të enjten, McGregor tha se ai do përdorte kompetencat e kufizuara të presidentit irlandez për të marrë në pyetje ligjvënësit, të cilët ai i quajti “hajdutë të njerëzve të ndershëm” dhe “përçarës të familjeve”.

“Si president kam fuqinë të thërras Dáil-in si dhe ta shpërndaj atë”, shkroi ai, duke përdorur emrin në gjuhën irlandeze për parlamentin e vendit.

“Këta sharlatanë në pozitat e tyre të pushtetit do thirren për t’iu përgjigjur popullit të Irlandës dhe unë do ta bëja këtë. Ose nuk do më mbetej gjë tjetër veçse ta shpërndaja Dáil-in tërësisht.”

“Kjo do ishte fuqia ime si president…Irlanda ka nevojë për një president aktiv që të përfaqësojë popullin e Irlandës,” vijoi ai.

“Jam unë. Unë jam zgjedhja e vetme logjike. 2025 po vjen…”

Presidenti aktual i Irlandës, Michael D. Higgins, u zgjodh në vitin 2011 dhe po i afrohet fundit të mandatit të tij të dytë dhe të fundit në detyrë. Asnjë kandidat nuk ka hyrë ende zyrtarisht në garë për të pasuar Higgins, por ish-kryeministrat Bertie Ahern dhe Enda Kenny dhe ish-lideri i Sinn Fein Gerry Adams konsiderohen gjerësisht si pretendentë të mundshëm. Zgjedhjet do të zhvillohen në fund të tetorit të vitit 2025.

McGregor u shfaq si figurë e krahut të djathtë irlandez të papërfaqësuar politikisht vitin e kaluar, kur ai dënoi sistemin e emigracionit të vendit pasi një emigrant theri me thikë tre fëmijë jashtë një shkolle në Dublin.

McGregor e përshkroi të dyshuarin për therjen me thikë si “një rrezik të madh mes nesh në Irlandë që nuk duhet të jetë kurrë këtu” dhe u akuzua nga qeveria irlandeze për nxitjen e një vale trazirash dhe zjarrvëniesh që shpërtheu pas goditjeve me thikë.

Për të kandiduar për presidencën, McGregor do kërkonte nominimin e 20 ligjvënësve të parlamentit ose katër nga autoritetet lokale.