Vendosni fjalën kyçe....

Me nisjen e vitit shkollor Veliaj ndalon qarkullimin e mjeteve të furnizimit në mëngjes


Bashkia e Tiranës ka prezantuar një regjim të ri për qarkullimin e trafikut me nisjen e vitit të ri shkollor, për të shmangur vonesat gjatë orëve të mëngjesit për prindërit dhe fëmijët. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, njoftoi se policia do të angazhojë vullnetarë për të ndihmuar në menaxhimin e trafikut pranë shkollave dhe për të lehtësuar kalimin e nxënësve nëpër vijat e bardha.

Një nga masat kryesore të këtij regjimi është ndalimi i automjeteve që furnizojnë dyqanet gjatë orëve 07:00-09:00, për të shmangur bllokimet në trafik. Veliaj theksoi se gjatë këtij intervali, prioritet do të jetë sigurimi i qarkullimit të lirë për nxënësit që shkojnë në shkollë.

Ai gjithashtu bëri thirrje që prindërit që punojnë në administratën publike të shfrytëzojnë fleksibilitetin e orarit të punës, i cili mundëson që ata të fillojnë më vonë, pas orës 09:00, për të ndihmuar në reduktimin e ngarkesës së trafikut. Kryebashkiaku apeloi që qytetarët të bashkëpunojnë me këto masa për një menaxhim më të mirë të trafikut në kryeqytet.

“Të hënën do të futemi me regjimin e ri të trafikut. Do të angazhojmë edhe vullnetarë për të ndihmuar fëmijët të kalojnë në vijat e bardha, përveç ndihmës nga Policia Bashkiake dhe Policia Rrugore.

Në fundjavë do të publikojmë urdhërin e kryetarit të bashkisë për orarin e qarkullimit në mëngjes. Në çdo vend të botës, në orën 7:00 nuk ka njeri që vjen me makina të sjellë patatina.

O merri një natë më përpara ose nuk mundet që në orën 8:00 të bësh garë kush shkon në shpejt, fëmijët në shkollë apo çipsat dhe çimçakizat në dyqan. Gjatë kohës që shkojnë fëmijët në shkollë, nga ora 7:00 me 9:00, ne do t’i pezullojmë totalisht makinat e furnizimit.

Këtë vit kemi edhe një risi për prindërit që punojnë në administratën publike. Orari është fleksibël, që do të thotë: Një prind mund të shkojë edhe në orën 9:00 në punë, mjafton ta rikuperojë më pas. Nëse ka edhe njerëz që na ndihmojnë në këtë apel publik, të cilët mund të shkojnë në punë pak më vonë, le të na ndihmojnë kështu, do e vlerësoja jashtë mase”, u shpreh kryebashkiaku.