Vendosni fjalën kyçe....

Policia publikon pamjet e momentit të arrestimit të Marklen Hakës


Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e arrestimit të Marklen Hakës, 33-vjeçarit të shpallur në kërkim nga SPAK. Prangosja e tij u bë në fshatin Nikël, në kuadër të operacionit të koduar “Liqeni i Bacungut”.

Operacioni, i zhvilluar nga DVP Tiranë në bashkëpunim me Repartin Special RENEA, përfshiu inteligjencën policore dhe u finalizua sot në afërsi të Liqenit të Bacungut në Nikël, Krujë. Haka u arrestua dhe në objektin ku u kap, u gjet një armë zjarri pistoletë.

Marklen Haka kërkohej për vepra të rënda penale, përfshirë “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, “Grup të strukturuar kriminal”, dhe “Mbajtje pa leje të armëve”.

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Liqeni i Bacungut”.

Falë inteligjencës policore, shërbimet e DVP Tiranë në bashkëpunim me Repartin Special RENEA, organizuan operacionin për kapjen dhe arrestimin e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu.

Operacioni ishte i një shkalle të lartë vështirësie dhe rrezikshmërie, dhe ka filluar më datë 02.09.2024 dhe është finalizuar sot rreth orës 14:00.

Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë, ditën e sotme, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu.

Gjatë operacionit janë shoqëruar dhe persona të tjerë të cilët po verifikohen nga strukturat e Policisë.

Në objektin ku është lokalizuar shtetasi Marklen Haka alias Marklen Aliu, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi me vendimin 49/31 datë 15.05.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë në dëm të shtetasit D. B., kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 78/2, 22, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit penal, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit D. B., kryerja në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a e 334 të Kodit penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.