Kandidati republikan presidencial Donald Trump tha të enjten se do themelojë një komision të efikasitetit qeveritar të kryesuar nga Elon Musk, nëse ai fiton zgjedhjet e 5 nëntorit, gjatë një fjalimi ku parashtroi vizionin e tij ekonomik për vendin.
Duke folur në Klubin Ekonomik të Nju Jorkut, ish-presidenti u zotua gjithashtu të ulë normat e taksave të korporatave për kompanitë që prodhojnë brenda vendit, të themelojë zona “me taksa të ulëta” në territor federale ku kompanitë e ndërtimit do nxiten të ndërtojnë shtëpi të reja dhe të fillojnë një fond sovran pasurie.
Trump kishte diskutuar idenë e një komisioni efikasiteti me ndihmësit për javë të tëra, kanë thënë për Reuters njerëz me njohuri bisedat. Fjalimi i tij të së enjtes, megjithatë, ishte hera e parë që ai miratoi publikisht idenë.
Ishte gjithashtu hera e parë që Trump tha se Musk kishte pranuar të drejtonte komisionin. Trump nuk dha hollësi se si do funksiononte një komision i tillë.
“Unë do themeloj një komision të efikasitetit të qeverisë, i ngarkuar me kryerjen e një auditimi të plotë financiar dhe të paraqtitjes së gjithë qeverisë federale,” i tha Trump një auditori që përfshinte ish-sekretarin e thesarit të Trump, Steve Mnuchin dhe financuesit Scott Bessent dhe John Paulson.