Vendosni fjalën kyçe....

6 asteroidet që përbëjnë rrezik për Tokën


Një asteroid i pazbuluar më parë, me diametër një metër, u përplas me atmosferën e Tokës, duke shkaktuar një top zjarri spektakolar mbi Filipine. Shkencëtarët zbuluan asteroidin 2024 RW1 vetëm tetë orë para se ai të digjej në atmosferë, duke mos shkaktuar dëme, për shkak të përmasave të vogla.

Ky incident tregon rreziqet e vazhdueshme që vijnë nga hapësira. Ndërsa çdo ditë, rreth 48.5 ton material meteor bie në Tokë, objektet më të mëdha që përplasen me planetin janë shumë më të rralla, por potencialisht katastrofike. Për të shmangur rreziqet, NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) monitorojnë vazhdimisht të ashtuquajturat “Objekte Pranë Tokës” (NEO), duke i kategorizuar dhe gjurmuar në përpjekje për të parandaluar një përplasje fatale.

Një prej asteroidëve më të rrezikshëm është Bennu, i cili ka një mundësi në 2700 për të goditur Tokën në vitin 2182. Një përplasje me të mund të shkaktojë pasoja të rënda globale, duke çliruar energji të barasvlershme me 1.4 miliardë ton TNT. Ndërkohë, një tjetër asteroid, 2023 DW, është parashikuar të kalojë afër Tokës më 14 shkurt 2046, me një shans shumë të vogël për përplasje.

Agjencitë hapësinore janë gjithmonë në përpjekje për të përmirësuar teknikat e mbrojtjes planetare, përfshirë misione si DART, i cili vitin e kaluar arriti të devijojë një asteroid nga kursi i tij. Shkencëtarët theksojnë se ndonëse rreziku është i ulët, përplasjet e mëdha të asteroidëve janë të pashmangshme në të ardhmen e largët.

Asteroidi Bennu
I zbuluar në vitin 1999, asteroidi Bennu konsiderohet të jetë një nga objektet më të rrezikshme për Tokën. Me një madhësi prej 0,49 km dhe një peshë prej 67 milionë tonësh, Bennu mund të përplaset me Tokën më 24 shtator 2182. Shkencëtarët kanë llogaritur se ekziston një mundësi në 2700 për këtë përplasje, e cila do të çlironte një energji ekuivalente me 1.4 miliardë ton TNT.

2023 DW: Asteroidi i Ditës së Shën Valentinit
Ky asteroid pritet të afrohet rrezikshëm me Tokën më 14 shkurt 2046. Asteroidi është mjaftueshëm i madh për të shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke shkatërruar një qytet të tërë.

1950 DA
Ky është asteroidi më i madh me shanse të përplaset me Tokën. Me një diametër prej 1.3 km dhe një peshë prej 71 milionë tonësh, 1950 DA mund të çlirojë energji të barasvlershme me 75 miliardë ton TNT nëse godet planetin tonë më 16 mars 2880. 

2023 TL4
Një tjetër kërcënim i madh është asteroidi 2023 TL4, me një diametër prej 0,33 km dhe një peshë prej 43 milionë tonësh. Nëse do të përplasej me Tokën, do të krijonte një shpërthim 150 herë më të fuqishëm se ai i Tsar Bomba, arma më e fuqishme bërthamore. 

2007 FT3
Megjithëse shanset që ky asteroid të godasë Tokën janë jashtëzakonisht të vogla, vetëm një në 11.5 milionë, ai mbetet në listën e objekteve potencialisht të rrezikshme. Asteroidi mund të afrohet me Tokën më 5 tetor të këtij viti ose më 3 mars 2030.

1979 XB
Ky asteroid është parë për herë të fundit në vitin 1979 dhe që atëherë është “humbur” nga vëzhgimet. Me një diametër prej 0,34 km dhe një peshë prej 49 milionë tonësh, 1979 XB ka një shans një në 1.8 milionë për të goditur Tokën.

Megjithëse këto asteroide duken kërcënuese, shkencëtarët besojnë se për momentin Toka është relativisht e sigurt. NASA dhe agjenci të tjera hapësinore po investojnë në projekte mbrojtëse për të devijuar asteroidët në rast se rreziku bëhet real.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e DailyMail