Mbikëqyrësi i medias ruse, Roskomnadzor, ka bllokuar disa faqe interneti që kishin kopje pirate të filmit “Brokeback Mountain” fitues i Oskarit në vitin 2005, që përqendrohet në një lidhje dashurie mes dy kaubojve homoseksualë.
Regjisori i filmit është Ang Lee ndërsa aktorë kryesorë janë Heath Ledger, i cili u vetëvra në vitin 2998 dhe Jake Gyllenhaal.
Filmi zhvillohet në Wyoming, SHBA në vitet 1960 dhe tregon historinë e dy kaubojve që përfshihen në një lidhje romantike. Filmi është përshkruar si “Western-i i parë homoseksual” dhe fitoi një sërë çmimesh pas publikimit të tij në 2005, duke përfshirë Oscar për regjinë më të mirë, skenarin më të mirë dhe kolonën zanore më të mirë.
Pas miratimit të një ligji të ri rus që ndalon propagandën LGBTQ dhe vendosi gjoba të majme për shkeljet, Roskomnadzor publikoi një listë të filmave dhe serialeve televizive që duhet të ndalohen në vend për të respektuar legjislacionin e ri.
“Brokeback Mountain” ishte ndër filmat në listën e zezë dhe më pas u hoq nga të gjitha shërbimet zyrtare të transmetimit të videove.
Vitin e kaluar, Gjykata e Lartë e Rusisë e shpalli të jashtëligjshme “lëvizjen publike ndërkombëtare LGBT” dhe e cilësoi atë si një “grup ekstremist”, duke e akuzuar atë për mbjelljen e “përçarjeve sociale dhe fetare” në vend.
Presidenti rus Putin, ndërkohë, ka sqaruar se autoritetet nuk kanë asnjë problem me atë që bëjnë anëtarët e komunitetit gay në jetën e tyre personale, për sa kohë që ata “nuk e shfaqin atë” në publik dhe nuk përfshijnë fëmijët.
Ai ka folur gjithashtu kundër promovimit të “marrëdhënieve seksuale jo tradicionale” si pjesë e një përpjekjeje për të promovuar “vlerat familjare”.