Vendosni fjalën kyçe....

Kosova mbyll dy pika kufitare me Serbinë


Kosova tha të shtunën se kishte mbyllur dy pika kufitare me Serbinë pasi protestuesit në territorin serb bllokuan pjesërisht rrugët dhe kthyen udhëtarët me dokumente të Kosovës në shenjë proteste për tensionet e fundit në veriun e Kosovës.

Një grup i vogël protestuesish u mblodhën disa kilometra brenda Serbisë, afër tre pikave kufitare, dhe po kontrollonin nëse shoferët kishin dokumente udhëtimi të lëshuara nga Kosova.

“Grupet e maskuara të ekstremistëve brenda territorit serb po ndalojnë në mënyrë selektive dhe me një qasje fashiste qytetarët që përdorin Serbinë si tranzit”, ka thënë ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla në Facebook, duke njoftuar mbylljen e vendkalimeve në Merdare dhe Bërnjak.

Katër kufijtë e tjerë mes fqinjëve ballkanikë mbetën të hapur.

Grupi po protestonte kundër veprimeve të fundit të Prishtinës në veri të Kosovës, pasi ajo mbylli institucionet paralele të komanduara nga Beogradi.

Në dy vitet e fundit, Kosova veriore ka përjetuar tensionet e saj më të këqija etnike që kur vendi me shumicë shqiptare shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Edhe pse Kosova njihet nga më shumë se 100 shtete, Serbia e konsideron atë pjesë të territorit serb. Ajo akuzon qeverinë qendrore të Kosovës për shkeljen e të drejtave të serbëve etnikë dhe mohon akuzat për nxitje të grindjeve brenda kufijve të fqinjëve të saj.