Madridi do ndalojë skuterët elektrikë që jepen me qira duke filluar nga muaji i ardhshëm, duke u bashkuar me Parisin në largimin e mjeteve me bateri nga rrugët e tij dhe adresimin e ankesave për rrëmujën e tyre në trotuare.
“Prioriteti ynë është integriteti fizik dhe siguria e njerëzve të Madridit. Ne do u heqim autorizimin kompanive të tregtimit të skuterëve në rrugët e qytetit,” tha kryebashkiaku Jose Luis Martinez-Almeida në një mesazh në X pasi qeveria e qytetit njoftoi masën.
Kompanitë që marrin me qira skuterët kanë dështuar të përmbushin kërkesat, përfshirë ofrimin e shërbimit për të gjithë qytetin, ndërsa nuk kanë mbulim sigurimi dhe teknologji që i pengojnë ata të qarkullojnë apo parkojnë në zona të ndaluara, thuhet në një deklaratë të qeverisë vendore.
Votuesit e Parisit zgjodhën vitin e kaluar të ndalonin skuterët elektrikë të përbashkët në mbarë qytetin në një referendum, duke mbështetur zyrtarët e qytetit të cilët thanë se ishin të frustruar me përdorimin e hapësirës publike nga operatorët dhe aksidentet e lidhura me skuterët.
Votimi e bëri kryeqytetin francez qytetin më të madh që largon operatorët e skuterëve me qira. Këshilli i qytetit të Melburnit votoi muajin e kaluar për t’i ndaluar ato në rrethin qendror të biznesit, duke thënë se ato përbënin rrezik për sigurinë publike.
Madridi vitin e kaluar u dha kompanive Lime, Dott dhe Tier Mobility një kontratë trevjeçare për të ofruar deri në 6,000 skuterë në qytet, por tre kompanitë tani do duhet t’i heqin ato. Qeveria tha se një nga problemet kryesore me qiratë e skuterëve në qytet ka qenë parkimi jo i duhur në vende të paautorizuara.
Lime nuk pajtohet me vendimin e qeverisë së Madridit dhe do apelojë pasi të marrë një njoftim zyrtar, thuhet në një deklaratë. Dott nuk pranoi të komentonte.