Giorgia Meloni është përballur me dorëheqjen e parë nga kabineti pasi ministri i Kulturës dha dorëheqjen pas akuzave se emëroi të dashurën e tij si këshilltare dhe se përdori fondet publike për të mbuluar udhëtimet e saj.
Gennaro Sangiuliano, 62 vjeç, një aleat i vjetër dhe mik i ngushtë i kryeministres Meloni, rrëfeu në një intervistë të drejtpërdrejtë teksa u përlot për një lidhje me Maria Rosaria Boçia, 41 vjeç, e cila e shoqëroi atë në dalje të shumta publike, duke përfshirë udhëtimet për t’u përgatitur për një takim të G7.
Pavarësisht pretendimeve kontradiktore nga zonja e tij, Sangiuliano mohoi çdo parregullsi financiare, duke këmbëngulur se ai i pagoi vetë shpenzimet e udhëtimit të Boçia-s dhe përfundimisht vendosi të mos finalizonte rolin e saj zyrtar duke pasur parasysh se “marrëdhëniet e tyre sentimentale” do ishin konflikt interesi.
Largimi i Sangiuliano dhe zhurma politike për sjelljen e tij kanë qenë shumë të sikletshme për Melonin, e cila është e etur të paraqesë qeverinë e saj si serioze dhe profesionale në kontrast me administratat e skandaleve të së kaluarës. Afera, që ka tronditur mediat italiane, ka përforcuar dyshimet e përhapura publike në lidhje me kompetencën e ekipit të ngushtë rreth Melonit.
Sangiuliano tha se ai kishte ofruar dorëheqjen në fillim të kësaj jave për shkak të polemikave, por Meloni, e njohur për besnikërinë ndaj miqve të saj të vjetër dhe aleatëve politikë, e kishte hedhur poshtë fillimisht.
Megjithatë, paraqitja e tij prekëse në të cilën ministri i kërkoi falje publike gruas së tij dhe Melonit – nuk arriti të shuajë bujën, e cila ka mbizotëruar faqet e para të gazetave italiane për ditë të tëra.
Boçia, në postimet në mediat sociale dhe një intervistë në gazetë, ka pohuar vazhdimisht se qeveria financoi udhëtimet pasi u emërua si një “këshilltare e papaguar e ministrit për ngjarjet kryesore”.
Boçia gjithashtu ka pohuar se ka regjistrime të bisedave private dhe mesazheve nga telefoni i ministrit, duke lënë të kuptohet për zbulime të mëtejshme që do të vijnë në lidhje me Sangiuliano dhe marrëdhëniet e tij në qeveri.
Në rrjetet e saj sociale, ajo ka shpërndarë disa video të regjistruara fshehurazi me syzekamera brenda parlamentit, në atë që është dënuar si një shkelje e rëndë e sigurisë.
Angelo Bonelli, kreu i partisë së vogël opozitare Europa e Gjelbër, paraqiti një ankesë zyrtare ligjore kundër Sangiulianos në fillim të kësaj jave duke e akuzuar atë për përvetësim dhe zbulim të informacionit konfidencial duke i dhënë qasje Boçia-s në takimin e planifikimit të G7.
Në një letër emocionale dorëheqjeje dërguar zyrës së Melonit të premten pasdite, Sangiuliano përsëri mohoi keqbërjen, por tha se nuk mund të lejonte që arritjet e tij ministrore të njolloseshin nga thashethemet e pamëshirshme.
“Asnjë euro nga fondet e ministrisë nuk janë shpenzuar në aktivitete të pahijshme”, ka shkruar ai.
“E thashë këtë dhe do ta vërtetoj këtë në çdo forum”.
Sangiuliano tha gjithashtu se ai kishte nevojë t’i “kishte duart e lira për të vepruar kundër atyre që më kanë shkaktuar këtë dëm”, pasi ai u zotua “të shkojë deri në fund” nëse “interesa të ndryshme kontribuan në këtë çështje”.
Si përgjigje, Meloni vlerësoi mikun e saj të vjetër si një “person të aftë dhe një njeri të ndershëm” që kishte bërë “punë të jashtëzakonshme” për të promovuar trashëgiminë kulturore të Italisë. Ajo u zotua se do çojë përpara përpjekjet e tij.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani