Vendosni fjalën kyçe....

“Të ndalim agresionin rus brenda vjeshtës” – Zelensky takon Sekretarin amerikan


Presidenti ukrainas Zelensky u ka kërkuar anëtarëve të NATO-s që të vijojnë të armatosin vendin e tij dhe të bëjnë presion ndaj Rusisë që të pajtohet me kushtet e paqes të Kievit këtë vjeshtë.

Ai e bëri deklaratën gjatë një takimi me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin në bazën ajrore “Ramstein” në Gjermani. Zelensky u kërkoi vendeve perëndimore të mbështesin prodhimin e përbashkët të armëve, duke përfshirë dronët dhe raketat, në tokën ukrainase.

“Për ta arritur këtë, ne kemi nevojë për fonde. Ne jemi të gatshëm të prodhojmë shpejt gjithçka që do të na ndihmojë t’i japim fund kësaj lufte, domethënë, duke ushtruar presion vendimtar mbi Rusinë për paqe të vërtetë”, tha Zelensky, sipas faqes së tij të internetit.

“Le ta bëjmë këtë vjeshtë kohën për ndaljen e agresionit rus, në një mënyrë që do t’i japë fund luftës dhe do rivendosë një rend të besueshëm të sigurisë ndërkombëtare.”

Austin theksoi rëndësinë e prodhimit të armëve, duke thënë se SHBA-ja “po punonte me Ukrainën për të projektuar dhe ndërtuar një zëvendësues për sistemin e raketave tokë-ajër S-300 dhe raketën ajër-ajër R-27”.

Uashingtoni ka ndarë më shumë se 200 milionë dollarë për të blerë “përbërësit që duhen ” për të lejuar Ukrainën të prodhojë drone dhe sisteme të luftës elektronike, tha ai.