Vendosni fjalën kyçe....

Basha komenton fjalimin e Ramës: Hipokrizi sharja e kundërshtarit me të cilin është në pazar


Lulzim Basha ka reaguar pas fjalimit të Edi Ramës në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste.

Basha e ka quajtur hipokrizi sharjet e Ramës ndaj Berishës me të cilin thotë se janë në partneritet për mbylljen e listave dhe lirimin e të korruptuarve.

Sipas Bashës qëllimi është që qytetarët të trajtohen si spektatorë pa fuqi vendimmarrëse.

Për Bashën, Rama e Berisha janë në pazar për ndarjen e pushtetit, njëri qeverinë e korruptuar e tjetri opozitën fasadë.

Si përherë, shumë e për lumë.

Hipokrizia për të sharë partnerin me të cilin mbylli listat dhe liroi të korruptuarit e tij përmes amnistisë, është teatri i shëmtuar që riciklon veten vit pas viti. Qëllimi është t’i trajtojnë qytetarët si spektatorë, pa fuqi vendimmarrëse, pa liri politike, pa zë në zhvillimin e vendit.

Qesharake rrahja e gjoksit të kryeministrit që drejton qeverinë më të korruptuar në Europë, teksa thotë se ai do të kandidojë në pjesën e hapur të listave. Ç’nevojë ka ta trajtojë si trimëri kandidimin te pjesa e hapur e listave, kur kishte mundësinë që t’i hapnin ato për të gjithë? Kjo është vetëm tallja e radhës me qytetarët, të cilëve i’u mohua e drejta e zgjedhjes nga dyshja që në pazarin e vulës ndanë copa pushteti, Rama qeverinë e korruptuar, Berisha opozitën fasadë. Prandaj në zgjedhjet e ardhshme oferta e tyre është shumë e qartë: Voto Ramën merr Berishën, voto Berishën mbaj Ramën.

Demokratët Euroatlantikë qëndrojnë të vendosur kundër këtij pazari që cakton mandatet në tavolinë dhe Shqipërinë e ndan si plaçkë për dyshen e vjetër dhe klientelën e tyre.

Shqipëria meriton më shumë!”-shkruan Basha.