Gjykata e Lartë nuk ka pranuar kërkesën e grupit të Bashës për pezullimin e vendit të Agron Zhukrit dhe Apelit, që i dhanë vulën e PD ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kërkesa e Bashës u shqyrtua sot në Dhomë Këshillimi.
Sipas këtij vendimi të Gjykatës së Lartë, Berisha do të ketë të drejtë që të vijojë të përdorë vulën e partisë, pasi kërkesa për pezullim u rrëzua.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë do të vijojë shqyrtimin e rekursit të Bashës, i cili kërkon zhbërjen e vendimit të Zhukrit të 23 marsit 2022 që i dha vulën Berishës, prishjen e vendimit të Apelit që la në fuqi Shkallën e Parë, si edhe pushimin e gjykimit.
Rekursin e tij për prishjen e vendimit, Basha e bazon në disa argumente, ku më kryesorja është se sipas tyre Komisioni i Rithemelimit nuk ka pasur asnjë tagër përfaqësimi në këtë çështje dhe se kemi të bëjmë vetëm me një palë, Partinë Demokratike që përfaqësohej nga Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit tashmë i larguar edhe nga grupi Basha.
Në rekursin e Bashës, thuhet se në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë nuk ka asnjë organ të emërtuar Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Rezulton e provuar që mbledhja e “Kuvendit të PDSH-së” të datës 11.12.2021 është bërë në kundërshtim të hapur me dispozitat e Statutit të Partisë Demokratike.
Me ezaurimin e këtij procesi edhe në Gjykatën e Lartë, saga gati 3 vjeçare e vulës së PD merr fund ndërsa Lulzim Basha duhet të vendosë për krijimin ose jo të partisë së re.