Vendosni fjalën kyçe....

Infrastruktura digjitale rrit barrën në buxhet, shtohen 15 milionë euro për mbrojtje kibernetike


Me ndryshimet e fundit në buxhet, qeveria rriti financimet me 1,5 miliardë lekë, ose 15 milionë euro për Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike.

Dekonspirimi i të dhënave personale në mënyrë të organizuar vitet e fundit kanë ekspozuar të qytetarët në të gjithë vendin. Sulmet kibernetike janë bërë një trend i ri në qendër të të cilit kanë qenë institucionet publike të vendit, që po kërkojnë financime shtesë për të rritur masat e sigurisë.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) i cili mori edhe 15 milionë euro shtesë deri në fund të vitit ka në themel të veprimtarisë së vit koordinimin me institucionet e sigurisë dhe të mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike dhe përcakton masat e Sigurisë Kibernetike në nivel Kombëtar.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se nga viti 2016 në vitin 2024 janë financuar me shumë 42 miliardë lekë, rreth 400 milionë euro për sistemet e-albania. Financimet vjetore në infrastrukturën e-albania renditen të katërtat në radhë pas investimeve publike në transportin rrugor, detar dhe në ujësjellës.

Agjencia Kombëtare e Informacionit (AKSH) referon se aktualisht janë 1237 shërbime publike për qytetarët dhe biznesin që ofrohen online dhe përbëjnë 95% të shërbimeve publike.

Pjesa e mbetur u përket shërbimeve që kërkojnë patjetër prani fizike të qytetarëve, siç është lidhja e martesës në Gjendjen Civile, kontrolli fizik i automjeteve apo vendosja e shenjave të gishtërinjve për aplikimet për dokumentet biometrike, pasaportë dhe ID etj.

AKSHI përllogarit se janë 63 regjistra elektronike që ndërveprojnë në kohë reale për çdo aplikim unik, për shqiptarët dhe bizneset kurdo dhe kudo. Nga kjo infrastrukturë, ekspertët e qeverisë kanë përllogaritur shteti shqiptar i ka kursyer qytetarëve dhe bizneseve 1010 vite pritje në radhë dhe mbi 12 milionë euro të kursyera prej dokumenteve nga letër ne te ofruarit të tyre online.

Teksa infrastruktura digjitale evoluon, popullata e vendit ka mungesë njohurish për përdorimin e shërbimeve online.  Shpesh kjo mungesë njohurish përkthehet në kosto të fshehur, pasi qytetaret për të aksesuar shërbimet online paguajnë persona të tretë ose zyra noteriale për të marrë.

Gjithashtu për shkak të mungesës së njohurive për infrastrukturën digjitale, publiku ka vështirësi të kuptoje koston e këtyre shërbimeve. Shqipëria dominohet nga një shoqëri me arsim të ulët dhe plakje të shpejtë që e ka shumë të vështirë të përdorë infrastrukturën e shërbimeve digjitale.

Por infrastruktura digjitale po nxit një seri profesionesh që po sjellin një vlerë të re në ekonomi. Një armatë “ushtarësh do të përgatiten gjithnjë e më shumë për të mbrojtur shërbimet digjitale nga sulmet.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor