Ish-drejtoresha e Spitalit të Durrësit, Nadire Jani, ka dhënë dëshmi pranë Komisionit Hetimor për PPP në Shëndetësi, duke diskutuar mbi zbatimin e koncesionit të sterilizimit.
Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve të opozitës, ajo theksoi se, pavarësisht disa problemeve fillestare, procesi është zhvilluar në përputhje me kontratën.
Kam parë koleget e mia kirurge, që kanë janë çarë me bisturi e kanë qenë të shqetësuar për muaj të tërë mos i kapte HIV AIDS, apo diçka tjetër. Si unë, ashtu edhe kirurgët ishim entuziastë për këtë zhvillim të ri.
Edhe mund të ketë pasur probleme në fillim, por ju janë përmbajtur kontratës, nuk ka pasur probleme madhore.
Sipas ish-drejtoreshes, pavarësisht disa vonesave në fillim, veçanërisht në furnizimin me sete kirurgjikale të vogla, nuk pati asnjë problem madhor: “Në fillim kanë munguar setet e vogla, por me insistimin tonë, ato më vonë kanë ardhur. Nuk është fushë me lule, por nuk ka pasur ndonjë problematikë të madhe.”
Ndër të tjera, ajo përmendi faktin se kompania që menaxhonte sterilizimin, SaniServis, nuk pagoi qiranë dhe shpenzimet e ujit dhe dritave, të cilat u mbuluan nga Ministria e Shëndetësisë. Ajo konfirmoi se spitali u detyrua të përdorte pajisjet e veta për një periudhë të caktuar, çka rriti kostot e tij.
Deputetja e opozitës, Albana Vokshi, kritikoi situatën, duke theksuar se Jani kishte kërkuar vazhdimisht sete mikrokirurgjikale që nuk mbërritën për më shumë se një vit dhe shpenzimet e spitalit u rritën ndjeshëm. “Jeni ankuar se në vend të paguanit 266 lekë, keni kaluar në 13,700 lekë për sete. Po ashtu, shpenzimet e energjisë elektrike arritën në 550 mijë lekë në muaj,” theksoi Vokshi.
Korreshi: Kur mbaronte entuziazmi, cilit ishin problemet që mund t’i quani edhe të vogla ju.
Jani: Sterilizimi nuk ka pasur efekte negative, as si mjeke e as si drejtuese.
Jani: Në fillim kanë munguar setet/paketat e vogla. Me insistimin e drejtuesit, më vonë kanë ardhur ato që kemi kërkuar. Nuk është fushë me lule, po nuk është problematikë kush e di se çfarë. Fillimet janë gjithmonë të vështirë. Personeli nuk ishte plotësisht i trajnuar për këtë pjesë. Këto duhet të jenë të kuptueshme. Por anë negative dhe problematika madhore, nuk ka pasur.
Jani: SaniServis nuk pagoi qira për ambientet, as për ujin dhe dritat. I pagoi Ministria e Shëndetësisë.
Vokshi: Ju keni mbrojtur interesin publik me shumë shkresa. Sot na thoni se jeni entuziaste. Ju keni vijuar të kërkoni sete mikrokirurgjikale e nuk ju kanë ardhur për një vit. Thoni se kompania ju mori të gjitha ambientet dhe hoqi pajisjet që ju kishit. I thatë ministrisë se përdorët pajisjet tuaja, dhe ju rritën shpenzimet. Keni përdorur autoklavat tuaja.
Jani: Problemi kryesor ishte buxheti, ndaj kemi kërkuar me ngulm. Thashë punë muajsh, ndoshta gabova, por nga 1 muaj, ndoshta kanë shkuar me 3 muaj.
Vokshi: Kam shkresat tuaja. Nuk ju kanë ardhur as pas një viti. Ju është dashur të paguanit disa fish më shumë. Unë jam impresionuar për mirë nga menaxhimi juaj në mbrojtje të interesit publik. Jeni ankuar se në vend që të paguanit 266 lekë, keni kaluar në 13 700 lekë.
Vokshi: Ju jeni ankuar për mos pagesë qeraje dhe mos pagesë energjie elektrike. Keni bërë llogaritë.
Pas refuzimit të operatorit, keni thënë, për të vënë matës të energjisë elektrike, keni bërë matje, e shpenzimi 550 mijë lekë në muaj vetëm për energji në spital 52 milionë lekë të vjetra, të matura vetëm në një periudhë nga ju. Jeni ankuar në ministri se nuk kishit buxhet për të paguar këto fatura.
Jani: Fondi na tha vijoni kontratën ndërsa ministria nuk na ktheu përgjigje fare për këtë çështje.