Kreu i grupit parlamentar të PS-së Niko Peleshi tha sot se shumica do kërkojë mendimin e Komisionit të Venecias lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
Në një deklaratë për mediat, Peleshi tha se shumica do kërkojë të kuptojë se ku e ku mbaron vullneti i deputetit.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk i trajtojmë si çështje politike. Do të kërkojmë mendim nga Komisioni i Venecias. Duam të kuptojmë kur nis e mbaron zbatueshmëria e vendimeve të GJK dhe se ku nis e mbaron vullneti i deputetit”, tha ai.
Mandati i Xhaçkës u çua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e PD-së. Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi e akuzoi Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj, ish-deputetin e PD-së Artan Gaçi se ka përfituar 10 mijë metra katrorë tokë publike në bregdet në mënyrë të paligjshme.
Në një vendim të 10 korrikut të këtij viti, Gjykata Kushtetuese rrëzoi Kuvendin lidhur me vendimin e deutetëve socialistë për të mos e çuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e deputetëve të PD-së për mandatin e Xhaçkës.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.
Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit dhe se asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë.