Qyteti i Culiacán u zgjua mes përplasjeve të rënda me armë, ndjekjeve dhe fluturimeve të helikopterëve të forcave të armatosura, ku besnikët e Ismael Zambada Sicairos apo “Mayo Flaco” sulmuan grupin e Los Chapitos, pasi njëri prej djemve të El Chapos disa javë më parë rrëmbeu El Mayon dhe u’a dorëzoi amerikanëve.
Nga përplasja deri tani është raportuar të paktën një person i vrarë, mjete të blinduara të braktisura, si dhe djegia e disa automjeteve në daljet e qytetit, ndërsa pjestarë të Ushtrisë Meksikane u plagosën nga të shtënat.
Gjithçka filloi pak minuta para orës 6:00 të mëngjesit të së hënës, 9 shtator, kur shërbimi i urgjencës 911 u informua për shfaqjen e disa automjeteve të modelit të fundit suburban dhe me dy rrota, me njerëz të armatosur në një kolonë prej deri në 40 njësish në daljen veriore të qytetit, në lagjet Infonavit Humaya, Malecon Nuevo, Miguel Hidalgo, La Campiña, Las Quintas dhe në daljen jugore.
Për momentin, të paktën dy ushtarë janë plagosur nga të shtënat dhe po transportohen për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin ISSSTE nën siguri të lartë dhe me një ambulancë të Sedena-s të shoqëruar nga disa njësi të agjencisë.
Një përplasje midis grupeve të armatosura është konfirmuar gjithashtu në lagjen Miguel Hidalgo në rrugën Revolución, ku të paktën një person u vra dhe një automjet u braktis, me gjasa prej dëmtimeve nga plumbat.
Një tjetër automjet i bardhë me katër dyer, me disa dëmtime nga plumbat në karroceri dhe dritare, u la i braktisur përballë shkollës Manuel Avila Camacho, e njohur më shumë si “Escuela Tipo”, në bulevardin Francisco I. Madero, dhe një automjet tjetër, i ngjashëm me një Chevrolet Suburban, gjithashtu i modelit të fundit dhe me dëmtime nga plumbat, u gjet i braktisur në të njëjtin bulevard afër zonës së njohur si Caseta 4.
Një tjetër automjet u raportua i djegur qëllimisht nën urën e Libramiento Benito Juarez, “La Costera” dhe rruga Heroico Colegio Militar në lartësinë e varrezave Jardines del Humaya, por për momentin situata është kritike në qytetin e Culiacán, ndërsa përplasjet vazhdojnë të raportohen në pjesë të ndryshme të bashkisë së Culiacán dhe Navolato.
Disa audio të qarkulluara konfirmojnë se Ismael Zambada Sicairos “Mayo Flaco”, udhëheqës i organizatës kriminale Mayo Zambada të Kartelit të Sinaloa-s, ka autorizuar vrasësit e tij për të sulmuar Los Chapitos në qytetin Culiacán, Sinaloa.
Dhjetëra video kanë qarkulluar në rrjetet sociale që konfirmojnë praninë e automjeteve të blinduara të organizatës kriminale Mayo Zambada që patrullojnë në Culiacán, Sinaloa.
Pas përplasjeve, disa automjete u sekuestruan nga oficerët e Policisë së Tranzitit të Sinaloa-s dhe u transportuan në një vend të paidentifikuar, ndoshta për të kaluar në hetime.
*Foto nga: Los Noticieristas (Automjete të sekuestruara duke u transportuar nga oficerët)
Megjithëse asnjë entitet zyrtar nuk ka zbuluar numrin e viktimave ose të plagosurve që kanë rezultuar nga incidenti i dhunshëm, imazhet kanë qarkulluar ku shfaqen dy pjesëtarë të ushtrisë të plagosur, ndoshta nga një përplasje me të armatosurit, ku njëri ka marrë plagë në këmbë dhe tjetri ka pësuar një plagë në fytyrë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Borderlanbeat.com