Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i ri i Iranit kërkon të zhvendosë kryeqytetin


Kryeqyteti i Iranit duhet të transferohet nga Teherani në një qytet më afër bregdetit jugor të vendit, ka thënë presidenti Masoud Pezeshkian.

Në një fjalim të shtunën, Pezeshkian, i cili mori detyrën në korrik, sugjeroi se është e kotë të vijohet zhvillimi i Teheranit për shkak të vështirësive të shumta me të cilat përballet qyteti.

Kryeqyteti aktualisht është i rrënuar nga “mungesa e ujit, rrëshqitja e tokës dhe ndotja e ajrit”, ndër të tjera, tha ai, siç citohet nga gazeta Javan Online.

“Teherani si kryeqyteti i vendit po përballet me probleme për të cilat ne nuk kemi zgjidhje”, pranoi presidenti, duke sugjeruar se mënyra më e mirë do të ishte “zhvendosja e qendrës politike dhe ekonomike të vendit”.

Thjesht t’u thuash banorëve se ata duhet të largohen nga Teherani nuk do funksionojë dhe qeveria “duhet së pari të shkojë vetë diku tjetër në mënyrë që njerëzit të na ndjekin,” argumentoi Pezeshkian.

Ka edhe arsye ekonomike për gjetjen e një kryeqyteti të ri më afër Gjirit Persik, përmes të cilit kalojnë rrugët kryesore tregtare, theksoi ai.

“Zhvillimi i mëtejshëm i vendit është i pamundur me vazhdimin e trendit aktual, kur burimet nga jugu i vendit dhe deti i sjellim në qendër, i kthejmë në produkte atje dhe i kthejmë në jug për eksport. argumentoi presidenti.

Një gjendje e tillë “zhvlerëson rëndë dhe zvogëlon konkurrencën tonë, dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të transferojmë qendrën ekonomike dhe politike të vendit në jug dhe më afër detit,” këmbënguli ai.

Gholamhossein Karbaschi, i cili shërbeu si kryebashkiak i Teheranit në vitet 1990, ka kundërshtuar idenë e Pezeshkian, duke argumentuar se nuk ka asnjë zëvendësues të përshtatshëm për Teheranin. “Ku doni të shkoni?” tha ai në një intervistë me gazetën Asr Iran.

Ish-kryebashkiaku paralajmëroi se disa vende që më parë vendosën të zhvendosin kryeqytetet e tyre kanë përfunduar duke humbur para dhe janë përballur me dy qytete problematike në vend të një.