Vendosni fjalën kyçe....

Balluku u premton banorëve të Krujës qasje në aksin Thumanë-Kashar, drejtuesi i Bashës: Qytetarët ia dolën


Qeveria duket se është ulur dhe ka dëgjuar kërkesën e banorëve të Krujës dhe zonave përreth për të patur qasje në aksin Thumanë-Kashar.

Drejtuesi i PD-së Euroatlantike të Krujës ka ndarë në rrjetet sociale premtimin që Ministrja e Transporteve Belinda Balluku u ka bërë pasi është ulur me përfaqësinë e banorëve që dolën edhe në protesta.

Sabah Sheta thotë se falë protestës u arrit që të marrin premtimin e Ballukut për të ndërtuar një nyje që do lidhë aksin Thumanë-Kashar me Krujën.

E drejta vonon, por triumfon. Qeveria tërhiqet, krutanët do të ketë hyrje dhe dalje në aksin e rrugës Thumanë-Kashar

Sot është një ditë e shënuar për banorët e Bashkisë Krujë. E tillë u kthye fal bashkërezistencës me vëllezërit të mi nga Kruja, Fushë -Kruja Nikla, Cudhia, Bubqi dhe Thumana. Pas një takimi që patëm si përfaqësi e qytetarëve të Krujës me zv.kryeministren dhe ministren e Transporteve Belinda Balluku prej saj në emër të qeverisë u pranua kërkesa jonë e drejtë dhe legjitime për të patur akses në rrugën Thumanë-Kashar. U bë e mundur që qeveria shqiptare të tërhiqet nga izolimi që i bënë mijëra bizneseve dhe 85 mijë banorëve të Krujës.

Motra dhe vëllezër krutanë! Kjo nuk është lëmoshë dhe dhuratë për ne. Është një e drejtë e mohuar nga ekzekutivi, por tashmë e fituar dhe pse me vonesë, por që ishin protestat tona sistematike, rezistenca jonë, premtimi që i bëmë njëri-tjetrin për të mos bërë asnjë hap pas, ajo që na mundësoi uljen në tavolinë sot me znj.Balluku, prej së cilës morëm premtimin që qytetarëve të Bashkisë Krujë do tu kthehet ajo që kishin; akesin (hyrje dhe dalje) në rrugën e re Thumanë-Kashar.

Veç falënderimit për secilin që na jeni bashkuar në çdo protestë, kam një mirënjohje për atë çfarë bëtë duke lënë punët tuaja të përditshme për të iu bashkuar kësaj kauze.

Të nderuar vëllezër! Pa ju nuk do ta kishim të mundur të korrnim këtë fitore. NE e kishim bërë të qartë që nuk do të tërhiqeshim, ata e dëgjuan me zë dhe figurë, e panë përmes akteve tona, ndaj sot ishte ministrja e Transporteve Balluku që “vrau” indiferencën duke i kushtuar vëmendje këtij problemi që për në shkaktonte kosto sociale dhe ekonomike sepse Kruja është dhe një zonë turistike dhe historike.

Duke vlerësuar premtimin dhe vendimin e Ministrisë së Transporteve për t’u tërhequr nga qëndrimi fillestar dhe kokëfortë i tyre dhe dhënien e zgjidhjes, duke iu dhënë qytetarëve të Krujës mundësinë të hynë dhe dalin në aksin e rrugës Thumanë-Kashar, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta përshëndesim këtë qëndrim dhe pse të vonuar, por ndërkohë do ta monitorojmë zbatimin e tij.

Vëllezër edhe njëherë faleminderit dhe mirënjohje për secilin! Bashkë ia dolëm!”-shkruan Sheta.