Drejtoria e Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Flop”, duke zbardhur një skemë mashtrimi që synonte përfitimin e parave nga operatorët ekonomikë.
Një 57-vjeçar me inicialet R. M., banues në Tiranë, është arrestuar në flagrancë pasi ka përfituar 3 milionë lekë nga administratori i një subjekti privat, duke komunikuar në emër të përfaqësuesit të një institucioni vendor përmes aplikacionit “Signal”.
Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e të tjerëve të përfshirë në këtë skemë mashtrimi. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Lezhës për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.”
Njoftimi i policisë:
DVP Lezhë/Finalizohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Flop”, për zbardhjen e një skeme mashtrimi për përfitimin e parave nga operatorët ekonomikë.
Përfitoi 3 000 000 lekë nga administratori i një subjekti privat, pasi komunikoi me të në emër të përfaqësuesit të një institucioni vendor, vihet në pranga 57-vjeçari.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin kërkuar një shumë parash me anë të mashtrimit, nëpërmjet një aplikacioni, kanë nisur hetimet me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Flop”, u arrestua në flagrancë shtetasi: R. M., 57 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi R. M., në bashkëpunim me një shtetas tjetër të paidentifikuar, kanë përfituar 3 000 000 lekë nga administratori i një subjekti privat, pasi kanë komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesit të një institucioni vendor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.