Ndryshime të mëdha nevojiten në Volkswagen Group nëse gjigandi gjerman i automobilave dëshiron të mbijetojë, ka thënë kreu ekzekutiv i kompanisë Oliver Blume për gazetën Bild.
Deklarata e Blume vjen pas një njoftimi në fillim të këtij muaji se prodhuesi më i madh i makinave në BE mund të mbyllë të paktën dy fabrika në Gjermani si pjesë e një përpjekjeje për uljen e kostove. Mbyllja e mundshme do ishte e para në historinë gati 90-vjeçare të prodhuesit të makinave.
Në një intervistë me tabloidin gjerman, Blume mbrojti planet për shkurtime në shkallë të gjerë. Gjendja aktuale ekonomike është “aq serioze sa nuk mund të ecim para thjesht siç ishim,” pranoi ai.
Fitimi operativ i prodhuesit të makinave ra me 20% në tremujorin e parë të 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e dytë të këtij viti, të ardhurat ranë me 2.4% më tej në krahasim me vitin e kaluar.
Ecja përpara me shkurtimet e vendeve të punës do i kursente Volksëagen 4 miliardë euro, pohoi Blume. Bordi i Volkswagen Group po punonte për “masa të mëtejshme” për t’i mbijetuar një rënieje në shitjet e makinave, shtoi ai. Volksëagen punëson rreth 120,000 punëtorë në Gjermani.
Sipas Blum, sfidat kryesore me të cilat përballet industria evropiane e automobilave rrjedhin nga pandemia katër vjet më parë dhe konkurrentët aziatikë që hyjnë në treg.
“Byreku po bëhet më i vogël dhe ne kemi më shumë të ftuar në tavolinë”, tha drejtuesi më i lartë i grupit që zotëron markat e makinave, kamionëve dhe motoçikletave si Audi, Bentley, Lamborghini, SEAT, Skoda, Porsche, Scania dhe Ducati.
BE-ja është bërë tregu më i madh jashtë shtetit për prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike (EV). Vlera e importeve të BE-së të makinave elektrike kineze u rrit në 11.5 miliardë dollarë në vitin 2023, nga vetëm 1.6 miliardë dollarë në 2020, duke përbërë 37% të të gjitha importeve të automjeteve elektrike në bllok, sipas hulumtimeve të fundit.
Kritikët e shkurtimeve të planifikuara në Volksëagen theksuan se grupi u pagoi 4.5 miliardë euro aksionerëve të tij për vitin financiar 2023 në qershor. Kryetarja e partisë politike të krahut të majtë Die Linke, Janine Wissler, i tha gazetës Rheinische Post javën e kaluar se ishte “e papranueshme ” që Volksëagen mund të paguante një shumë të tillë në dividentë dhe tani pretendon se nuk mund të parandalojë mbylljen e fabrikave për shkak të humbjeve.
“Nëse VW vërtet ka nevojë për para kaq urgjentisht, atëherë aksionerët kryesorë duhet t’i kthejnë këto 4.5 miliardë euro,” tha ajo.
Ekonomia gjermane u tkurr në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas statistikave zyrtare. Prodhimi industrial i vendit ra me më shumë se sa pritej në korrik, i nxitur kryesisht nga aktiviteti i dobët në sektorin e automobilave, raportoi Reuters javën e kaluar. Ngadalësimi nxiti frikën se ekonomia më e madhe e Evropës mund të tkurret sërish në tremujorin e tretë dhe të hyjë në një recesion tjetër, pasi kishte pësuar një në fund të vitit të kaluar.