Qeveria shqiptare ka miratuar dy vendime të rëndësishme për heqjen e vizave me dy shtete, Nikaragua dhe Kirgizstan. Vendimi u mor me propozim të ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, dhe lejon që qytetarët shqiptarë të udhëtojnë drejt këtyre vendeve pa pasur nevojë për viza.
Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, qytetarët shqiptarë me pasaporta të zakonshme, diplomatike dhe të shërbimit do të jenë të përjashtuar nga kërkesat për vizë kur udhëtojnë drejt Nikaraguas. Po ashtu, një marrëveshje e ngjashme është arritur me Kirgizstanin, që përjashton kërkesën për vizë për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.
Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë dhe synojnë të forcojnë lidhjet diplomatike dhe të lehtësojnë lëvizjen ndërmjet Shqipërisë dhe këtyre dy vendeve.
Vendimet:
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 shtator 2024:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET
KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË NIKARAGUAS, PËR PËRJASHTIMIN E VIZAVE PËR PASAPORTAT E ZAKONSHME, DIPLOMATIKE DHE TË SHËRBIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Nikaraguas, për përjashtimin e vizave për pasaportat e zakonshme, diplomatike dhe të shërbimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
MINISTRI PËR EVROPËN
DHE PUNËT E JASHTME
IGLI HASANI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KABINETIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË KIRGIZSTANIT, PËR PËRJASHTIMIN E KËRKESAVE PËR VIZË PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE DHE TË SHËRBIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Republikës së Kirgizstanit, për përjashtimin e kërkesave për vizë për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
MINISTRI PËR EVROPËN
DHE PUNËT E JASHTME
IGLI HASANI