Vendosni fjalën kyçe....

“Shqetësimi im i vetëm është populli” – Çfarë ndodhi në debatin e parë presidencial Harris-Trump


Dy kandidatët kryesorë për president të SHBA-së, demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump, u përballën në debatin e tyre të parë televiziv me njëri-tjetrin, por të dytin e fushatës zgjedhore, të organizuar nga ABC në Filadelfia, Pensilvani.

Trump fitoi lehtësisht zgjedhjet paraprake të partisë së tij për të kërkuar një ripërballje në zgjedhjet e 5 nëntorit me Joe Biden, por pak javë më parë, demokratët e detyruan Biden-in të tërhiqej nga gara vetëm disa javë pas debatit të tyre të 27 qershorit në CNN. Partia Demokratike më pas përzgjodhi Kamala Harris, zëvendëspresidentin e Biden, si kandidaten e duhur.

Debati u mbajt sipas rregullave të kërkuara nga fushata e Biden. Kjo nuk përfshin heqjen e audiencës në studio dhe ndërprerjet, të cilat Harris u përpoq t’i ndryshonte pa sukses.

Tërheqja nga Afganistani

Harris theksoi se ajo i qëndron vendimit të Biden për t’u tërhequr nga Afganistani, duke e portretizuar atë si një lëvizje historike për t’i dhënë fund “luftës së pafund” që po rëndonte taksapaguesit amerikanë.

Ajo gjithashtu e zhvendosi fajin për gjendjen në vendin e Lindjes së Mesme që doli jashtë kontrollit në atë që ajo tha se ishte “një nga marrëveshjet më të dobëta që mund të përfytyroni” me talebanët e arritur nga Trump.

Trump u kundërpërgjigj duke thënë se ishte gati të negocionte edhe me talebanët për të shpëtuar jetën e ushtarëve amerikanë. Sipas republikanit, marrëveshja ishte jashtëzakonisht e qartë dhe jepte udhëzime specifike për tërheqjen, por administrata Biden “e shkatërroi atë”.

“Marrëveshja u prish nga ne sepse ata nuk bënë atë që duhej të bënin”, tha ai, duke e përshkruar tërheqjen si “çastin më të sikletshëm në historinë e vendit tonë”.

“Meqë ra fjala, kjo është arsyeja pse Rusia sulmoi Ukrainën. Sepse pa se sa të paaftë janë ajo dhe shefi i saj”, shtoi Trump.

Izraeli

Izraeli ka çdo të drejtë të mbrohet kundër Hamasit, por mënyra se si e bën këtë është vendimtare duke pasur parasysh viktimat e shumta civile në Gaza, tha Harris.

“Kjo luftë duhet të përfundojë… Ne kemi nevojë për një marrëveshje armëpushimi dhe pengjet të lirohen,” theksoi ajo, duke shprehur mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete që mundëson bashkëjetesën paqësore midis Izraelit dhe Palestinës.

Ndërkohë, Trump pohoi se lufta Izrael-Hamas nuk do të kishte shpërthyer kurrë nëse ai do të kishte qenë president. Ai akuzoi Harrisin se e “urren Izraelin”, duke vënë në dukje se zv.presidentja anashkaloi fjalimin kryesor të kryeministrit Benjamin Netanyahu në Kongres.

“Nëse ajo do zgjidhet presidente, unë besoj se Izraeli nuk do ekzistojë brenda dy viteve”, shtoi ai.

Ukraina

Harris u përgjigj, duke deklaruar se nëse Trump do t’i kishte dhënë fund konfliktit në 24 orë, do ishte vetëm sepse “ai heqë dorë”. Ajo vijoi të nënvizonte rekordin e saj të supozuar në konsolidimin e mbështetjes perëndimore për Ukrainën.

“Nëse Donald Trump do ishte president, Putini do ishte në Kiev tani”, tha ajo.

“Përmes punës që bëmë unë dhe të tjerët, ne mblodhëm 50 vende së bashku për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e saj të drejtë dhe për shkak të mbështetjes sonë, për shkak të mbrojtjes ajrore, municionit, artilerisë, tankeve Abrams që kemi furnizuar, Ukraina qëndron si një vend i pavarur dhe i lirë.”

Trump deklaroi se nëse do të kishte qenë president, do të kishte parandaluar luftën në Ukrainë, duke u zotuar se do t’i jepte fund atij edhe para se të betohej në detyrë. Kur u pyet nëse donte që Kievi të fitonte luftën, republikani u përgjigj se donte që “lufta të ndalej”.

“Njerëzit po vriten me miliona. Është shumë më keq se sa shifrat që po merrni nga mediat,” pohoi ai.

Trump pohoi se kishte krijuar një raport të mirë si me presidentin rus Vladimir Putin, ashtu edhe me atë të Ukrainës, Vladimir Zelensky, duke pretenduar se Biden nuk e kishte bërë këtë sepse nuk respektohej.

“Kur pashë Putinin duke çuar ushtarë në kufirin e Ukrainës, thashë: ‘Oh, ai duhet të negociojë. Po nuk ndodhi sepse Biden nuk e kishte idenë se si të fliste me të…Dhe gjithçka po përkeqësohet dhe mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore.”

“Krerët botërorë po qeshin me ty” – Harris ironizon Trump-in

Ajo pohoi se krerët botërorë po “qeshin me Donald Trump”.

“Kam biseduar me udhëheqës ushtarakë, disa prej të cilëve kanë punuar me ty, dhe ata thonë se je një turp”, i tha ajo Trumpit.

Ajo vijoi të pretendonte se Trump “i admiron diktatorët dhe dëshiron të jetë diktator që në ditën e pare të punës”.

“Është absolutisht e njohur se këta diktatorë dhe autokratë po kërkojnë që ju të bëheni përsëri president sepse është kaq e qartë se mund t’ju manipulojnë me lajka dhe favore,” tha ajo.

“Dihet shumë mirë se Donald Trump është i dobët dhe i gabuar për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme.”

Trump akuza demokratëve për atentatin ndaj tij

Trump ka përsëritur akuzën e tij se demokratët mund të jenë pjesërisht përgjegjës për atentatin ndaj tij dy muaj më parë.

“Unë ndoshta u qëllova me një plumb për shkak të gjërave që thonë për mua,” pohoi ai, duke akuzuar rivalen e tij demokrate dhe presidentin Joe Biden për nxitjen e retorikës që mund t;i ketë dhënë zemër sulmuesin.

Emigracioni

Ndërsa Trump ka akuzuar administratën Biden për keqpërdorim të emigracionit, Harris tha se ajo mbështeti projektligjin për të rritur sigurinë kufitare.

“E dini çfarë ndodhi me atë ligj? Donald Trump mori në telefon… me disa njerëz në Kongres dhe tha ‘mos e miratoni ligjin’. Ai parapëlqeu të zgjidhte problemin në vend që ta rregullonte,” tha ajo.

Trump ka kritikuar politikat kufitare të demokratëve, duke pretenduar se emigrantët “po marrin nën kontroll qytetet … ata po hyjnë me dhunë në pronat tona”. Ai iu referua gjithashtu një thashethemi të çuditshme se emigrantët nga Haiti kanë vrarë dhe ngrënë mace shtëpiake në Ohio, gjë që më parë përfshiu në polemika kandidatin e tij për zv.president, J.D. Vance.

“Në Springfield, ata po hanë qentë; njerëzit që erdhën, ata po hanë macet…ata po hanë kafshët shtëpiake të njerëzve që jetojnë atje. Dhe kjo është ajo që po ndodh në vendin tonë dhe është turp”, tha ish-presidenti.

Moderatori tha se ABC Neës kontaktoi kryebashikakun e qytetit, i cili këmbënguli se nuk “nuk ka pasur raporte të besueshme për pretendime specifike të kafshëve shtëpiake që janë dëmtuar, lënduar ose abuzuar nga individë brenda komunitetit të emigrantëve”.

Fjalimet përmbyllëse

Në deklaratën e tij përmbyllëse, Trump vuri në dyshim historikun e Harris dhe premtimet e reja të saj.

“Ajo sapo filloi duke thënë se do e bëjë këtë, ajo do e bëjë atë, ajo do bëjë të gjitha këto gjëra të mrekullueshme… Pse nuk i ka bërë? Ajo ka qenë atje në pushtet për tre vjet e gjysmë”, tha ish-presidenti.

“Ajo që këta njerëz i kanë bërë vendit tonë…po e shkatërrojnë vendin tonë. Presidenti më i keq, zëvendëspresidentja më e keqe në historinë e vendit tonë”, shtoi ai.

Në deklaratën e saj përmbyllëse, Harris pohoi se prejardhja e saj si prokurore e bën atë një kandidate të përsosur për të udhëhequr vendin pasi ajo u zotua të mbronte “të drejtat dhe liritë” e amerikanëve.

“Unë do jem një president që do mbroj të drejtat dhe liritë tona themelore, duke përfshirë të drejtën e një gruaje për të marrë vendime për trupin e saj dhe jo atë që qeveria e saj t’i thotë asaj se çfarë të bëjë. Unë do t’ju them, e kam filluar karrierën time si prokurore. Unë kam qenë Proukurore Qarku, kam qenë Prokurore e Përgjithshme, Senatore e Shteteve të Bashkuara dhe tani zv.presidente. Unë kam vetëm një shqetësim: njerëzit.”